7 Shkurt, 2020 - 9:58 am
Jeta Zymberi
Nata e mbrëmshme në Cineplexx në Prishtinë ishte rezervuar për shfaqjen e komedisë “I Love Tropoja”, film ky që producenti Ermal Mamaqi e solli jo shumë kohë pas suksesit të jashtëzakonshëm me filmin paraprak “2 Gisht Mjaltë”, shkruan KultPlus.
Me bindjen që edhe ky film do t’i thyejë të gjitha rekordet e shitjes së biletave, Mamaqi mbrëmë bashkë me disa nga aktorët e filmit erdhën në Prishtinë për të prezantuar punën e tij në një gala premierë e cila ishte organizuar për të ftuarit special dhe mediat.
Para shfaqjes së filmit, atëherë kur të gjithë zunë vendet e tyre dhe salla ishte e stërmbushur, Mamaqi bashkë me aktorët e filmit si: Arjola Demiri, Enca Haxhia, Julian Deda, Marjana Kondi, Irgen Çela, etj hynë në sallë për një përshëndetje me të pranishmit.
I pari e mori fjalën Mamaqi i cili fillimisht falënderoi të pranishmit për prezencën e tutje foli pak rreth filmit.
“Kjo histori flet për një djalë, për frikën e tij që ka nga tropojanët, dhe misioni që ka ky film është që të thyejë paragjykimet për Tropojën, duke treguar që tropojanët janë njerëz të traditës, besës, zakonit, që e respektojnë familjen dhe në të njëjtën kohë ky është një marketing shumë i mirë për Tropojën, Valbonën”, ka thënë Mamaqi.
Sipas Mamaqit, ky film është krijuar me një buxhet prej 700.000 Euro dhe është xhiruar me kamerat me lense speciale që janë përdorur në xhirimet e filmit Fast & Furious 8.
Edhe aktorët tjerë të filmit si: Arjola Demiri, Enca Haxhiu, përshëndetën publikun me shpresën që filmi do të ju pëlqejë.
Aktorët dolën jashtë sallën për të lënë një qetësi absolute në sallë ku filmi nisi të shfaqet.
Filmi trajtonte problematikat dhe situatat dramatike që ndodhin në një qytet në veri të Shqipërisë, Tropojë. Përshkrimi me nota tepër komike, nga njëra anë e bënte publikun të qeshte gjatë gjithë kohës, por nga ana tjetër filmi kishte synim të vë në dukje fenomene të ndryshme përmes një mesazhi edukativ.
Një djalë me ambicie të mëdha për jetën, shpreson që së shpejti do të vendoset në pozicionin që meriton në kompaninë ku ai punon, por çuditërisht ndodh e kundërta. Djali e gjen veten aty ku nuk e kishte menduar kurrë, në një qytet verior, në Tropojë (në qytetin e Marko Hoxhës në filmin “Taken”), ku duket se shpresa ka vdekur bashkë me botën në mendjen e tij.
Gjate kalimit të kohës ai kupton se jeta në qytetin e largët nuk ishte aspak ashtu si e kishte menduar. Njerëzit nuk janë të egër dhe nuk ka rreziqe që i kanosin jetën, madje ashtu papritur ai gjen dashurinë e jetës së tij.
Në fund të fundit, zakonet janë zakone dhe mentaliteti provincial hera herës bëhet pengesë për çiftin. Por në fund, dashuria e dy të rinjve bëhet më e fortë se secili zakon.
Kjo është komedia “I Love Tropoja”, i cili mbrëmë është shfaqur në dhjetë termine në Cineplexx, filmi tutje do të vazhdojë të shfaqet në orare të ndryshme për të gjithë të interesuarit. / KultPlus.com