13 Dhjetor, 2018 - 12:48 pm
‘Academy of Motion Pictures Arts & Sciences” po merr në konsideratë mundësinë për të hequr dorë nga një prezantues për ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar 2019”.
Sipas “Variety”, pas heqjes dorë nga Kevin Hart, pas polemikave “social”, organizatorët po mendojnë të gjitha opsionet për ta zëvendësuar, por sipas burimeve, po mendohet edhe për një spektakël pa prezantues tradicional. “Variety” shkruan se modeli për këtë është marrë nga “Saturday Night Live”.
Kevin Hart hoqi dorë nga prezantimi i “Oscar”, pasi Akademia i kërkoi që të shprehte ndjesë publike për disa postime të vjetra në “Twitter”, ku aktori komik ofendonte komunitetin LGBT. Hart fillimisht tha se nuk e shikonte të nevojshme ta bënte për diçka që ka ndodhur në të shkuarën. Por, më pas bëri falje publike dhe njoftoi se nuk do të prezantonte ceremoninë e “Academy Awards”.
Nata “Oscar” do të transmetohet më 24 shkurt 2019. Nominimet pritet të prezantohen një muaj përpara, më 22 janar dhe votimet do të hapen që më 7 janar./KultPlus.com