20 Tetor, 2023 - 11:00 am
Me shfaqjen e filmit të vitit 1959, “Marie – Octobre”, me regji të Julien Duvivier, u bë mbyllja e edicionit të 23-të të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë, i cili këtë vit trajtoi temën “Portrete të grave”.
Në ceremoninë përmbyllëse të pranishëm ishin Ministri Hajrulla Çeku, ambasadori i Francës, Olivier Guerot dhe këshilltari për bashkëpunim dhe veprimtari kulturore në këtë ambasadë, Donato Guiliani, ambasadorë e zëvendësambasadorë të Belgjikës, Kanadasë, Zvicrës, kolegë nga kabinetet qeveritare, artistë dhe artdashës.
Ministri Çeku në fjalën e tij përshëndeti të pranishmit dhe i përgëzoi për punën organizatorët e festivalit, si dhe theksoi rritjen e bashkëpunimit kulturor ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Francës. Ai po ashtu ndau një dekoratë mirënjohjeje për Donato Guilianin në shenjë falënderimi për punën dhe bashkëpunimin jo vetëm për festivalin por edhe për angazhimin drejt jetësimit të marrëveshjes filmike të nënshkruar nga dy vendet.
Gjatë këtij edicioni, nga 12 deri më 18 tetor, u shfaqën 8 filma të ndryshëm dhe u mbajtën dy konferenca. / KultPlus.com