25 Maj, 2023 - 2:00 pm
Jeta Zymberi
Një atmosferë dasme ku kënga kishte pushtuar çdo cep të shtëpisë ishte shfaqja e parë që ju dha publikut, por përkundër faktit që filmi po niste me një moment gëzimi siç është ai i dasmës, diçka e pazakonte po ndodhte njëkohësisht dhe këtë detaj publiku e vëren qysh në minutat e parë.
Pak lot e dy fytyra të rënduara, ishin ato të çiftit që po kurorëzonin dashurinë e tyre. Këtë ndjesi e përforconte edhe më shumë muzika shoqëruese në film dhe pamjet vizuale të cilat të jepnin ndjesinë e diçkaje misterioze dhe shpesh t’i rriste bebëzat e syrit e t’i përshpejtonte të rrahurat e zemrës.
Është kjo përshtypja e parë të cilën ta jep filmi “I fshehur” me skenar dhe regji të Arsim Fazlija i cili dje u dha premierë në Cineplexx në Prishtinë, shkruan KultPlus.
“I Fshehur” është një film i shkëlqyeshëm që nxjerr në pah një histori bazuar në ngjarje të vërtetë. Ky film dramatik përshkruan rrugën e një çifti të martuar të cilët përballet me një problem të pazakontë, i cili në shkencë njihet si fenomen parapsikologjik, ndërsa në kontekstin fetar, quhet pushtim nga demoni. Nëpërmjet skenarit tërheqës dhe regjisë me shije të veçantë, Arsim Fazlija përshkruan me imtësi dhe ndjeshmëri sfidat që përjetojnë personazhet kryesorë. Ndërsa paraqet një çift të dashuruar që me profesion ishin mësues, filmi gradualisht ndërthuret me momente tensioni dhe frike, duke krijuar një atmosferë e cila shton misterin dhe shkakton ankth te publiku.
Përshkrime të bukura vizuale dhe interpretim i jashtëzakonshëm:
Një aspekt i veçantë i filmit ishte edhe paraqitja e dy interpreteve kryesorë të filmit, të cilët dhanë një performanca të jashtëzakonshme. Ata përjetësojnë me një mjeshtëri të rrallë, shqetësimin, vuajtjen dhe shpresën e çiftit të martuar, duke sjellë emocionet në një nivel të thellë. Nora (Gresa Pallaska), gruaja e shqetësuar, që në sytë e burrit dukej një e çmendur, luajti me ndjeshmëri dhe pasion duke e bërë publikun të futet thellë personazhit të saj, ndërsa Dini (Naser Rafuna), ishte bashkëshorti i cili përjetoj një transformim dramatik, por që fajin gjithmonë e kërkonte dikund tjetër, në këtë rast tek Nora.
Interpretimi i tyre i fortë bëri që audienca t’i bashkëngjitet emocionalisht personazheve dhe të ndihet pranë tyre gjatë udhëtimit të tyre të vështirë.
Në aspektin vizual, “I fshehur” përdor vështrimin artistik të kamerës dhe teknikat kinematografike për të krijuar një atmosferë të errët dhe të shtrembër. Imazhet e shtrembëruara dhe dritat e errëta përcjellin mjeshtërisht tensionin dhe përshkruajnë ndjesinë e një botë të çoroditur dhe të pushtuar nga forcat misterioze. Pa harruar, elementet e dizajnit të tingujve dhe muzikën e kompozuar mirë që shtojnë ndjeshmërinë dhe intensitetin emocional të secilës skenë.
Dialogu i thellë dhe sfida midis shkencës dhe besimit fetar:
Filmi ofron edhe një pasqyrë interesante të ndërveprimit midis shkencës dhe besimit fetar. Ai shpalos debatet e ndërlikuara në lidhje me shpjegimin e ngjarjeve.
Dialogu i thellë dhe i mprehtë midis personazheve ndihmon në zgjidhjen e konfliktit të tyre të brendshëm dhe zhvillimin e historisë.
Rrëfimi i bazuar në një histori të vërtetë:
Bazuar në një histori të vërtetë, “I fshehur” na jep një perspektivë të rrallë dhe të fuqishme mbi sfidat e jetës reale dhe forcën e dashurisë dhe besimit në përballje me të keqen e papritur.
“I fshehur” është një film i rëndësishëm dhe emocionues që na fton të shqyrtojmë thellësisht sfidat e jetës dhe ndikimin e besimeve fetare në përballje me fenomene të pazakonta.
Megjithëse filmi eksploron temat e pushtimit nga demoni dhe fenomeneve parapsikologjike, ai nuk pretendon të japë përgjigje të qarta dhe të definojë çfarë është e vërteta. Përkundrazi, filmi na inkurajon të mendojmë dhe të vlerësojmë kuptimin e ndryshëm që secili prej nesh mund të ketë mbi këto çështje të kompleksuara.
Në film luajnë aktorë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut si: Naser Rafuna, Gresa Pallaska, Bajrush Mjaku, Adrian Aziri, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Hamdi Rashiti, Muzafer Etemi, Bashkim Ramadani, Teuta Ajdini, Ajete Rexhepoviq, Hysen Binaku, Mendim Murtezi, e shumë aktorë të tjerë.
Një pjesë e këtyre aktorëve si dhe regjisori e producentja e filmit, menjëherë pas shfaqjes mbajtën një konferencë për media.
Fillimisht fjalën e mori producentja e filmi, Drita Mamuti Fazlija e cila u arsyetua edhe për mungesën e aktorëve kryesorë të filmit në këtë konferencë, dukë thënë se për arsye të angazhimeve të aktorëve dhe zgjatjes së premierës së filmit në Kosovë, ata nuk janë prezent.
Më shumë rreth konceptit të skenarit dhe regjisë, foli Arsim Fazlija i cili fillimisht falënderoi të pranishmit, dhe tutje tregoi se qëllimi kryesor i tij ka qenë që filmi më shumë të bazohet në lojën e aktorëve e jo në skenat vizuale e pikat e tjera.
“Ajo që më ka intriguar më tepër që t’i qasem kësaj teme si ide, është përshtypja që më ka lënë se si një person kalon në karakter tjetër, gjë që shkenca e quan si karakter i shumëfishtë, ndërsa feja si xhindosje. Unë pasi e kam parë rastin që është ngjarje e vërtetë, kam bërë hulumtime dhe jam takuar me psikologë, psikiatër e teologë dhe e kam parë sa shumë telefonata kanë për raste ë tilla, e aty e kam kuptuar se sa është i përhapur në shoqërinë tonë ky problem, thuajse u xhindos gjithë qyteti dhe kjo më ka lënë shumë përshtypje”, u shpreh regjisori duke vazhduar tutje të tregoi se edhe me ekipin e filmit kur e ka diskutuar si problem të gjithë e kanë njohur, por sipas tij ky është një problem që të gjithë e mbajnë të fshehur, askush nuk e flet, prandaj edhe filmi titullohet “I fshehuri”.
“Ne nuk ja kemi vënë pikën që të themi është problem psikologjike, psikiatrik apo fetar, ne thjesht jemi marr me problemin me të cilin ballafaqohet një çift në këtë rast. Këtu gjithashtu e kemi trajtuar edhe çështjen se pse njeriu zgjedhe të shkoj te hoxha përderisa ka psikiatër e psikologë. Ndoshta kjo ndodhë sepse njeriu gjithmonë është i prirur të gjej rrugën më të shpejtë. Ky është realiteti jonë”, u shpreh regjisori.
Ndërsa aktori Bajrush Mjaku tregoi përshtypjet e tij të para pas leximit të skenarit si dhe foli për lojën e dy aktorëve kryesorë në film.
“Unë pasi e kam lexuar skenarin jam intriguar, pasi kjo temë është e njohur në familjet tona dhe mendoj që janë të rrallë çiftet bashkëshortore që në fillimet e tyre nuk kanë mosmarrëveshje, ndoshta jo deri në këtë pikë, por ka. E mirë është të shërohen, nuk ka rëndësi ku e gjejnë shërimin. Filmi ka një qasje shumë serioze dhe jam i lumtur që jam pjesë e këtij filmi“, th Mjaku i cili krejt për fund shtoi edhe disa fjalë të mira për aktorët kryesorë të filmit e në veçanti për Gresa Pallaskën të cilën e vlerësoi si një aktore shumë dimensionale dhe të jashtëzakonshme.
Filmi “I fshehur” nga sot do të shfaqet në Cineplexx të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë.
Filmi është financuar nga Agjencioni i Filmit të RMV në vitin 2018. Incizimi i filmit filloi po në 2018-n dhe ka zgjatur deri në fillimin e vitit 2019. Premiera e mbyllur (për shkak të Covid-19) u dha në 2021, e më pas filmi ka udhëtuar në festivale ndërkombëtare, të vendit ku edhe ka marrë disa çmime. / KultPlus.com