19 Shkurt, 2021 - 2:08 pm
Në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, regjisorja Blerta Basholli u dekoura me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontribut në fushën e kulturës, pasi filmi ‘Zgjoi’ ka qenë fitues i tri çmimeve kryesore të festivalit të madh të filmit në SHBA, ‘Sundance Film Festival’, shkruan KultPlus.
Ndërkaq, sot, vetë regjisorja Basholli e bëri të ditur përmes një statusi në rrjetin social Facebook, se këtë medalje ia dedikon Fahrije Hotit.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të Bashollit:
‘MEDALJE PRESIDENCIALE E MERITAVE
Për kontributin e dhënë në fushën e kulturës
Nderin që na e ka bërë Presidentja Osmani është nder i shumëfishtë. Jo vetëm për mua dhe ekipin e filmit ZGJOI, por është nder për shkak të tematikës të cilën trajton, për zonjën Fahrije Hoti dhe zonjat e tjera inkurajuese si ajo, për Presidenten, Grua e suksesshme si në fushën akademike ashtu edhe ate politike, për komunitetin artistik, i cili ka nevojë për më shumë vëmendje nga shteti, për vet Kosovën.
Këtë medalje të meritave ia dedikojmë zonjës Fahrije Hoti, e cila është edhe symbol i të gjitha grave të Kosovës, të cilat përkundër humbjeve që pësuan nga lufta e fundit në Kosovë, përkundër paragjykimeve e pengesave serioze nga shoqëria, përkundër mbështetjes aspak të mjaftueshme nga shteti, ato me kokën lartë vazhduan, punuan, edukuan fëmijë dhe patën sukses në çdo aspekt. Na dhanë shembull model se si duhet të vazhdojmë të punojmë edhe ne të tjerët, qofshim gra apo burra.
Tregimi i zonjës Fahrije Hoti është një tregim inkurajues për secilin prej nesh, andaj e falenderoj edhe publikisht për shembullin që na e ka dhënë për fuqizimin e gruas në vend edhe kur ai fuqizim duket i pamundur, përcillet me pengesa e me shumë dhimbje.
Faleminderit znj. Fahrije Hoti që ndave këtë pjesë të jetës tënde me ne! Je dhe do të jesh inspirimi im, por është i shumë të tjerëve përherë.
Një falenderim i veçantë dhe me shumë dashni shkon edhe për aktoren Yllka Gashi që në mënyrë profesionale dhe shumë delikate e sjelli në jetë këtë rol kaq të rëndësishëm në çdo aspekt dhe producentin Yll Uka që ishte mbështetësi kryesor i imi, por edhe i gjithë projektit. Natyrisht pa dyshim edhe të gjitha aktoret dhe aktorët e filmit Zgjoi bashkë me ekipin e palodhshëm dhe shumë të dashtun për ne.
FALEMINDERIT!!!’ / KultPlus.com