Mediat ndërkombëtare për “Zanën” nga Kosova: një Oscar për traumat e luftës

30 Shtator, 2019 - 1:09 pm

Filmi kosovar “Zana” i cili po garon për “Best International Feature” në kuadër të çmimeve Oscar të vitit tjetër, ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare.

Euronews, në kronikën për kinematografi, e përshkruan filmin “Zana si “inspirues dhe goditës”, meritë që sigurisht i takon edhe  regjisores Antoneta Kastrati.

Kastrati thotë se i përdori kujtimet e saj të luftës së viteve 1998-1999 si bazë të filmit të saj.

“Është një frymëzim nga një ngjarje e vërtetë”, thotë Kastrati. “Është fiction, por baza e saj rrjedh nga përvojat e mia gjatë luftës. Unë isha adoleshente kur m’u vranë nëna dhe motra.

“Bëra shumë që hulumtoj rreth simptomave të mia personale të përjetimit të stresit post-traumatik, i cili zgjon çrregullime dhe ankth”, shtoi ajo.

Filmi flet për Lumen (Adriana Matoshi), një grua që jeton me bashkëshortin Ilirin (Astrit Kabashi) dhe vjehrrën Remzijen (Fatmire Sahiti).

Pasi ka humbur në luftë fëmijën e saj të vetëm, Lumja përballet me ankthe në gjumë dhe si pasojë e ka të pamundur të mbetet shtatzënë.

Të dëshpëruar dhe të shqetësuar, familja e saj kërkojnë që ajo të drejtohet te “shëruesit me magji” për të trajtuar infertilitetin. Kur Lumja i reziston kërkesës, familja e burrit e kërcënojnë me një grua të re, kandidate  për t’u bërë gruaja e dytë e Ilirit.

Nën kërcënimin e zëvendësimit, Lumja heq dorë nga mjekësia moderne dhe pajtohet të eksplorojë praktikat ekzorciste.

Për “Zanën” e saj, regjisorja Kastrati udhëtoi në shumë fshatra duke intervistuar gratë lidhur me më të dashurit që i kishin humbur gjatë luftës. Shumë thanë se ende ndjeheshin të përhumbura, edhe pas dy dekadash.

“Unë mendoj se ka një pjesë të vetvetes që nuk do të shërohet kurrë”, thotë Kastrati. /KultPlus.com

Të ngjajshme