Meghan Markle e kërkuar nga studiot hollywoodiane për bashkëpunim

8 Qershor, 2020 - 2:00 pm

Dukesha e Sussexit, Meghan Markle, është pushtuar nga ofertat e shumta për filma.

38-vjeçarja e cila ishte pjesë e kastës së aktorëve të serisë “Suits”, para se të martohej me princin Harry, besohet se ka marrë oferta të shumta nga Hollywoodi pas punës së shkëlqyer si narratore e dokumentarit të studios Disney, me titull “Elephant”, transmeton Koha.

Një burim i çiftit mbretëror citohet të ketë thënë për “Daily Mail”: “Studioja Disney ishte plotësisht e kënaqur me punën që Meghani e ka bërë për ta. Ajo ka bërë marrëveshje vetëm për një projekt, por është në diskutime për t’u angazhuar dhe në filma të tjerë dhe ide, për të cilat mund të bashkëpunojnë në të ardhmen.”

Bëhet e ditur se edhe studio të tjera filmike kanë kontaktuar me dukeshën Markle, e cila u shpërngul në vendlindjen e saj Los Angeles në fillim të këtij viti, bashkë me burrin e saj Harry dhe djalin e tyre 13-muajsh, Archie.

Por, duket se aktorja është në kërkim të projektit të duhur për karrierën e saj, dhe duhet të jetë diçka në të cilën ajo beson vërtetë.

Ndërkohë, në të kaluarën Meghan Markle kishte thënë se shpreson që dokumentari i saj i fundit, “Elephant”, i cili i ndjekë elefantët Shani dhe Jomo në një udhëtim epik përreth shkretëtirës Kalahari, do t’i inspirojë njerëzit të kujdesen më shumë për njëri-tjetrin, kafshët dhe planetin tonë. / KultPlus.com

Të ngjajshme