23 Qershor, 2019 - 6:30 pm
Pjesa e fundit e serisë së filmave “Men in Black” ka mbërritur nëpër kinema gjatë kësaj fundjave, ama veshjet e zeza nuk janë më aq të mprehta sa kanë qenë dikur.
“Men in Black: International” i “Sonyt” ka shitur 28.5 milionë bileta nga e premtja deri të dielën. Ama shifra nuk doli të ishte e mjaftueshme për ta shndërruar atë në filmin më të shikuar nëpër kinematë e Amerikës Veriore këtë fundjavë. Numrat flasin megjithatë për një rezultat goxha zhgënjyes, duke pasur parasysh faktin se analistët prisnin shitje të biletave me vlerë prej mbi 30 milionë dollarësh, ndërsa dihet se buxheti i produksionit të filmit kishte kapur vlerën prej 100 milionë dollarësh, shkruan sot Koha Ditore.
Duke ia dhënë hakun emrit, “Men in Black: International” përnjëmend shtegton përtej oqeanit; sipas të dhënave të studios prodhuese, filmi ka shitur gjatë fundjavës edhe 73.7 milionë dollarë bileta shtesë në vendet e tjera të botës.
Në vazhdimin e serisë së filmave aktorët Will Smithin dhe Tommy Lee Jonesin, dy yjet kryesore të dy serive të para të “Men in Black”, zëvendësohen me Chris Hemsworthin dhe Tessa Thompsonin, duke e krijuar një çift të ri kundruall pushtuesve alienë. E kjo formulë për shumë kritikë të filmit u cilësua si monotone. KultPlus.com