Ministri Çeku pret në takim Luana Bajramin, regjisoren që po e bën Kosovën pjesë të Festivalit në Kanë

8 Qershor, 2021 - 1:59 pm

Kinematografia kosovare sot përjetoi edhe një lajm gëzimi. ‘Luaneshat e Kodrës’, do të jetë filmi i parë i gjatë kosovar që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës, shkruan KultPlus.

Menjëherë pas këtij lajmi, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku bashkë me këshilltarin e tij, Liburn Jupollin, kanë pritur në kabinetin e tij regjisoren e këtij filmi, Luama Bajrami.

Luana në këtë takim ishte e shoqëruar nga producentja, Valbona Rrahmani, asistenti i produksionit, Lavdrim Krenzi, Arben Zharku, Drejtor i QKK dhe Lum Çitaku, zyrtar për marrëdhënie me publikun në QKK.

Gjatë këtij takimi, Ministri Çeku i uroj për suksesin ndërsa u diskutua për rëndësinë që kanë paraqitjet e tilla me vlerë për promovimin e Kosovës dhe gjithashtu punën e mirë që po bëjnë të rinjtë e vendit tonë, duke na bërë krenar në botë.

“Luaneshat e Kodrës”, flet për një histori që zhvillohet diku në një fshat të vogël në Kosovë, ku tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërijnë.

Ky film është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë). / KultPlus.com

Të ngjajshme