4 Gusht, 2023 - 10:04 pm
Sonte në Prizren ka filluar festivali i filmit dokumentar të metrazhit të shkurtër, ‘Dokufest’, përcjell KultPlus.
Në një postim në Facebook, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku tha se ‘Dokufest’ është një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Evropën Juglindore, ku për nëntë ditë qytetarët dhe vizitorët e shumtë do të kenë mundësi të shijojnë programin e pasur me filma dokumentarë e të metrazhit të shkurtër.
Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e ministrit Çeku:
Prizreni nga sonte hap dyert për Dokufestin, ngjarjen më të madhe të artit e filmit në vend.
Një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Europën Juglindore tashmë është formësuar në institucion të krijimtarisë dhe edukimit artistik, me të cilin krenohemi të gjithë.
Përgjatë nëntë ditëve, qytetarët dhe vizitorët e shumtë do të kenë mundësi të shijojnë programin e pasur me filma dokumentarë e të metrazhit të shkurtër, në 12 hapësira të ndryshme brenda qytetit, kinematë e hapura, ekspozitat e programet e edukimit.
Mbështetja shtetërore institucionale për këtë edicion ishte më e larta ndonjëherë, ndërsa kthimi në ekonomi siç ndodhi me bienalen Manifesta pritet të jetë po ashtu më i larti ndonjëherë.
Ju ftoj të jeni pjesë e kësaj feste të artit, të shihni filma të jashtëzakonshëm dhe të përjetoni emocione unike nëpër kinematë e festivalit e magjinë e qytetit të Prizrenit./KultPlus.com