14 Korrik, 2019 - 11:37 pm
Shkenca dhe forca e shpirtit njerëzor bënë të mundur misionin Apollo 11 të zbritjes në Hënë para 50 vjetësh, por regjisorët dhe ekspertë të kulturës thonë se shumë përpara 16 korrikut të vitit 1969 ishte kultura popullore ajo që e imagjinoi njeriun atje.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelopi Poulou u hedh një vështrim filmave dhe serialeve televizive që u dhanë mundësinë njerëzve të ëndërronin dhe ndihmuan suksesin e Apollo 11, si edhe filmave më të rinj që i janë kushtuar vetë misionit historik.
Eksplorimi i hënës ishte tema e filmit 14 minutësh “Një udhëtim në hënë” i regjisorit Georges Melies në vitin 1902. Mes të tjerash, filmi ishte frymëzuar nga romanet fantastiko-shkencore të Zhyl Vernit.
Në vitin 1950, në filmin fantastiko-shkencor “Destinacioni: Hëna” të regjisorit George Pell, astronautët pasi zbresin në sipërfaqen e hënës, shohin që nuk kanë karburant të mjaftueshëm.
Apollo 11 rrezikoi me të vërtetë të mbeste pa karburant dhe kishte vetëm një shans të ndizte motorin për t’u ngritur nga hëna. Kjo histori tregohet në dokumentarin me tre pjesë të regjisorit Robert Stone, “Duke ndjekur hënën”.
“Nëse motori nuk ndizej, gjithçka do të merrte fund! Dhe ne ishim gati me titullin për atë skenar”.
Një vit para misionit Apollo 11, përsëri kultura popullore ishte në pararojë, duke imagjinuar përtej hënës.
“Po të shohësh filmin ‘2001: Një Odise në Hapësirë’, të regjisorit Stanley Kubrick’, që doli në vitin 1968, ai parashikon përtej uljes në hënë, duke përshkruar një kohë kur udhëtimet e rregullta në hënë, janë pjesë të jetës së përditshme”.
Dhe ndërsa gara hapësinore ishte në kulmin e saj mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, pasi kosmonauti sovjetik Yuri Gagarin u bë njeriu i parë në hapësirë në vitin 1961, ((Marrë nga: “Star Trek”, Paramount Pictures)) seriali “Star Trek” i regjisorit Gene Roddenberry, parashikonte një federatë planetesh, që punonin së bashku në paqe për eksplorimin e hapësirës.
“… dhe imagjinonte një të ardhme ku burra dhe gra të racave dhe kombësive të ndryshme, madje edhe një jashtëtokësor, punonin së bashku në anije”, thotë zonja Weitekamp.
Dekada pas misionit Apollo 11, përparimet teknologjike në kinematografi u kanë dhënë mundësi studiove që të transformojnë xhirimet origjinale të NASA-s dhe të tjera xhirime historike në formatet IMAX, HD dhe 3D. Kjo u ka dhënë mundësi regjisorëve si Robert Stone që të ofrojnë një vështrim bindës dhe historikisht gjithpërfshirës të garës hapësinore.
Në bashkëpunim të ngushtë me NASA-n dhe Arkivat Kombëtare, regjisori i dokumentarit “Apollo 11”, Todd Douglas Miller ofron një kapsulë kohore të javës së zbritjes në hënë që nga nisja e deri tek kthimi i astronautëve.
Ekipi kinematografik transformoi xhirime historike të papublikuara dhe 11 mijë orë audio inçizime të misionit Apollo 11.
Filmi artistik I regjisorit Damien Chazelle rreth Apollo 11, “Njeriu i Parë”, rrëfehet nga perpesktiva e Neil Armstrongut dhe familjes së tij, duke kombinuar në mënyrë të përkryer pamjet kinematografike dhe xhirime nga arkiva./ VOA/ KultPlus.com