14 Janar, 2019 - 2:40 pm
Ky vlerësim vjen pasi që është hera e parë që një film nga Kosova pranohet në garën e Berlinales, që konsiderohet njëri nga festivalet më prestigjioz të filmit në Botë.
Ministri Kujtim Gashi, pjesëmarrjen për herë të parë të një filmi nga Kosova në Festivalin e Filmit në Berlin të Gjermanisë, e vlerëson si një sukses të jashtëzakonshëm dhe një arritje tjetër kulturore për Kosovën në përgjithësi në arenën ndërkombëtare.
“Filmi ‘Në mes’ i autorit Samir Karahoda është përkrahur nga Ministria e Kulturës, nëpërmjet Qendrës Kinematografike të Kosovës, dhe jemi shumë të lumtur për këtë sukses, pasi që orientimi i buxhetit në përkrahje të prodhimit filmik po shpërblehet”, tha mes tjerash ministri Gashi.
“Dua t’i falënderoj dhe shpreh mirënjohjen të gjithëve që kanë dhënë kontribut në këtë film, duke filluar që prej autorit të filmit, stafit teknik, aktorëve e QKK-së për angazhimin e tyre, që të kemi këtë produkt”, vazhdoi tutje ministri duke shtuar se uron që filmi “Në mes” të kthehet nga Berlini me çmim.
Ministri Gashi premtoi se buxheti dhe përkrahja e MKRS-së për QKK-në dhe prodhimin e filmit do të rritet në vazhdimësi, sepse përmes filmit dhe funksionin që ka ai, përçohet mesazh pozitiv për Kosovën jashtë vendit si dhe përmes rolit të filmit mund të kemi emancipim edhe më të madh.
Autori i filmit Samir Karahoda është shprehur i lumtur që filmi i tij merr pjesë në Berlinale. Ai tha: “Përzemërsisht dua të falënderoj secilin protagonist pa të cilët ky film nuk do të ishte i mundur si dhe ekipin të cilët u përkushtuan dhe kontribuuan me zemër në formimin e kësaj vepre.”
Filmi i cili është prodhim autentik i Kosovës, trajton dy tema paralelisht: fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta dhe migrimin e cila veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.