MKRS: Sukseset e tyre po na bëjnë krenar të gjithëve, ndërsa tregojnë potencialin që ka vendi ynë në këtë fushë

20 Gusht, 2021 - 4:30 pm

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të filmave vendorë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, ka reaguar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me ç’rast ata janë shprehur se Kosova ka marrë disa prej çmimeve kryesore në këtë festival e për çka ata ndjehen mjaft krenarë, përcjellë KultPlus.

“Ne i urojmë për këto çmime dhe shpresojmë që sukseset e tyre të vazhdojnë”, ka shkruar MKRS-ja.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të tyre:

Filmat nga Kosova marrin disa prej çmimeve kryesore në Festivalin e Filmit në Sarajevë
Sukseset e filmave kosovar në festivalet më të mëdha ndërkombëtare të filmit po vazhdojnë. Kësaj radhe në Sarajevë tre filmat e vendit tonë, “Luaneshat e kodrës”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Pa Vend” ia kanë dal të marrin disa prej çmimeve kryesore.
Aktoret Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani – që janë pjesë e filmit “Luaneshat e kodrës”, nën regjinë e Luana Bajramit kanë fituar çmimin “Zemra e Sarajevës për aktoren më të mirë”.
Filmi “Në kërkim të Venerës”, nën regjinë e Norika Sefës ka fituar çmimin “Përmendje speciale për barazi gjinore”.
Ndërsa filmi i metrazhit të shkurtë “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës është shpërblyer me çmim special në këtë festival, çmim që i është ndarë nga juria profesionale.
Sukseset e tyre po na bëjnë krenar të gjithëve, ndërsa po tregojnë potencialin që ka vendi ynë në këtë fushë.
Ne i urojmë për këto çmime dhe shpresojmë që sukseset e tyre të vazhdojnë.
Festivali i Filmit në Sarajevë vlerësohet si një prej ngjarjeve më të mëdha të filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë. / KultPlus.com

Të ngjajshme