9 Janar, 2025 - 2:30 pm
Fimi i ri i artistit dhe regjisorit kosovar Alban Muja, “Mua besoj më shpëtoi portreti (I Believe the Portrait Saved Me)”, do të ketë premierën botërore në kuadër të seksionit prestigjioz Forum Expanded të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Berlinale, një nga ngjarjet më të rëndësishme në industrinë kinematografike botërore.
Seksioni Forum Expanded është një platformë e njohur për promovimin e filmave që sfidojnë format tradicionale të kinemasë dhe ofrojnë një vizion të ri dhe eksperimental.
Ky film prekës 10-minutësh trajton tema të mbijetesës, qëndresës dhe fuqisë transformuese të artit gjatë Luftës së Kosovës.
Njëzet e pesë vjet pas rrëmbimit të tij gjatë Luftës së Kosovës, piktori Skender Muja rrëfen një histori mbijetese të jashtëzakonshme. Në muajt e fundit kaotikë të luftës, Muja dhe shumë qytetarë shqiptarë nga Mitrovica u kapën ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga Kosova. Të ndaluar në një shkollë të përshtatur si qendër ndalimi, ata u përballën me frikë, izolim dhe një fat të pasigurt.
I rrëfyer nga vetë Muja, filmi ndërthur reflektimet e tij mbi fuqinë transformuese të artit me rikrijime dramatike të përvojës së tij. “Mua besoj më shpëtoi portreti” është një dëshmi e qëndrueshmërisë, duke ilustruar se si krijimtaria mund të shfaqet si një mjet mbijetese edhe në kushtet më shtypëse.
Filmi është prodhuar nga 038STUDIO në Prishtinë, në bashkëprodhim me AsfaltFilms nga Amsterdami.
“Mua besoj më shpëtoi portreti” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës./ KultPlus.com