23 Shkurt, 2025 - 11:40 am
Mbrëmë është mbajtur Award Ceremony në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin “Berlinale”, në të cilin festival është prezantuar premiera e filmit “Mua besoj më shpëtoi portreti“ nga regjisori Alban Muja.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka mbështetur ekipin nga Kosova duke qenë pjesë e kësaj ceremonie së bashku me Drejtoreshën e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, dhe artistin Alban Muja.
“Mua besoj më shpëtori portreti” i regjisorit Alban Muja është një film prekës 10-minutësh trajton tema të mbijetesës, qëndresës dhe fuqisë transformuese të artit gjatë Luftës së Kosovës.
Njëzet e pesë vjet pas rrëmbimit të tij gjatë Luftës së Kosovës, piktori Skender Muja rrëfen një histori mbijetese të jashtëzakonshme. Në muajt e fundit kaotikë të luftës, Muja dhe shumë qytetarë shqiptarë nga Mitrovica u kapën ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga Kosova. Të ndaluar në një shkollë të përshtatur si qendër ndalimi, ata u përballën me frikë, izolim dhe një fat të pasigurt.
I rrëfyer nga vetë Muja, filmi ndërthur reflektimet e tij mbi fuqinë transformuese të artit me rikrijime dramatike të përvojës së tij. “Mua besoj më shpëtoi portreti” është një dëshmi e qëndrueshmërisë, duke ilustruar se si krijimtaria mund të shfaqet si një mjet mbijetese edhe në kushtet më shtypëse.
Filmi është dhënë premerë në edicionin e 75-të të festivalit “Berlinale”, në të cilin edhe është rrëfyer një histori reale nga Lufta e Kosovës./ KultPlus.com