4 Shkurt, 2020 - 11:27 am
Krahasuar me vitin e kaluar, studioja “Disney” i është rikthyer ripërpunimit të projekteve të bazuara në filma të animuar. Po ashtu, kësaj radhe ata kanë vendosur ta rikthejnë në ekran të madh një personazh shumë të dashur për publikun, heroinën kineze të njohur me emrin Mulan.
Traileri i ri i këtij projekti të shumëpritur të bazuar në filmin e animuar hit të vitit 1998, u publikua të dielën gjatë finales së Kampionatit të Futbollit Amerikan “Super Bowl”, dhe cili i zbuloi disa skena interesante duke na lënë të nënkuptojmë se ky është një projekt më ndryshe i studios “Disney” dhe e sjellë një version më ndryshe të historisë së famshme, transmeton Koha.net.
Në filmin e ri “Mulan”, emri i protagonistes është ndryshuar nga Fa në Hua, janë eliminuar këngët që e shoqëronin filmin e animuar, përfshirë këtu personazhin e dragoit të vogël që e shoqëronte Mulanin, si dhe janë shtuar disa personazhe të femrave, si motra e vogël e saj dhe një shtrigë e keqe e cila lufton për armikun.
Në rolet kryesore të filmin vijën aktorët: Liu Yifei, Donnie Yen, Yoson An, Chen Honghui, Tzi Ma dhe Jet Li. Ndërsa regjinë e këtij projekti të shumëpritur kinematografik e ka bërë regjisorja nga Zelanda e Re, Niki Caro.
“Mulan” lansohet nëpër kinematë botërore më 27 mars të këtij viti.