31 Korrik, 2019 - 12:13 pm
Eddie Murphy, (58), shekullin e kaluar ishte njëri nga stand-up komedianët më të njohur, por ai e la anash skenën dhe publikun kur iu kthye jetës së filmit.
Megjithatë, pas tridhjetë vjetësh, Murphy po i kthehet stand-upit dhe për këtë do të paguhet “jashtëzakonisht shumë”, shkruan Celebrity Net Worth.
Netflix ia ka ofruar aktorit 70 milionë dollarë për një seri të stand-up special, që, siç shkruajnë mediat e huaja, nuk është ndonjë befasi e madhe, sepse Eddie si komedian ka fituar shumë. Filmi i tij ‘Eddie Murphy Raw’ i fitoi 50 milionë dollarë dhe u bë filmi më i suksesshëm stand-up i të gjitha kohërave.
Kur u ftua në web emisionin ‘Comedians in cars getting coffee’, të cilin e udhëheq i famshmi Jerry Seinfeld, 65 vjeç, Murphy e pranoi se është koha për t’ju kthyer dashurisë së vjetër, shkruan KOHA Ditore.
“E di se fakti që nuk bën stand-up po i çmend njerëzit, apo jo? Je në dijeni të kësaj?”, – e pyeti Seinfeld.
“Do të bëj përsëri stand-up, por gjithçka duhet të jetë e përsosur. Do të filloj në klube më të vogla”, – u përgjigj aktori, i cili aktualisht është shumë afër nënshkrimit të një kontrate të madhe me Netflixin.