Ndahen çmimet e Edicionit të Njëmbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR

15 Qershor, 2024 - 12:05 pm

Në një atmosferë festive me një mbrëmje gala, që u mbajt në kryeqytet këtë të enjte, DEA OPEN AIR e përfundoi këtë edicion jubilar, duke ofruar sërish përvojë të re kulturore për kryeqytetin, si edhe duke vijuar të zgjerojë hartën e njohjes së kinemasë botërore. “Ky edicion, që u mbajt nga datat 9-13 qershor për herë të njëmbëdhjetë bëri bashkë të gjithë rreth kinemasë cilësore me 39 filma nga 25 vende të botës dhe rreth 30 kineaste të ftuar nga 15 syresh’’- u shpreh drejtoresha artistike e festivalit Mirela Oktrova në hapje të ceremonisë.

Në hapje të ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Drejtori i Festivalit Edmond Topi, falenderoi të gjithë ata që mbështetën këtë festival: “Kineastët i kanë thënë të gjitha në këto 5 ditë, me 39 filmat e tyre. Mua më mbetet një falenderim shumë i madh, për të gjithë ju që keni ndjekur filmat çdo ditë, për kineastët që erdhën, që punuan. Nuk e dimë si do vazhdojmë, por Universiteti i Arteve që na ka rritur të gjithëve, ka qenë mbështetja jonë për 6 vite. Unë gjithmonë mendoj se nuk do ta bëjmë më këtë festival, por jam i sigurt se që nesër nisim edicionin e 12-të’’- u shpreh drejtori i festivalit Edmond Topi.

Kupa DEA në kategorinë e flimit më të mirë më metrazh të gjatë shkoi për ’’Djali i Diskos’’ (Disco Boy )- Giacomo Abbruzzese – Itali, Francë, Belgjikë, Poloni 2023.
Në nominuar për këtë kategori ishin:

Djali i Diskos – Giacomo Abbruzzese – Itali, Francë, Belgjikë, Poloni 2023
Dulçinea – Artur Serra Araújo – Portugali 2023
Okarina – Alban Zogjani – Kosovë 2023

Konkurimi në këtë program u ndoq nga juria e Filmit me Metrazh të gjatë, e përbërë nga: Frank Döhmann (kryetar – Gjermani), Chema González (anëtar – Spanjë), Ylli Pepo (anëtar – Shqipëri), Marco Morini (anëtar – Itali), Naser Shatrolli (anëtar – Kosovë).
Ky film u vlerësua me motivacionin si filmi që shoqëron protagonistët e tij në një botë të rrezikshme dhe distopike, në të cilën, pavarësisht nga të gjitha pengesat e paimagjinueshme, ka ende një hapësirë të vogël për vetëvendosje dhe reagim njerëzor.
Regjisori Giacomo Abbruzzese dërgoi një video përshëndetëse:

’’Falenderoj shumë jurinë për vlerësimin me këtë çmim, gjithashtu një falenderim i veçantë shkon për DEA Film Festival që më bëri ftesën, për të marr pjesë. Më preku, sepse Shqipëria është një vend motër për Italinë. Filmi im i radhës, do të xhirohet një pjesë në Shqipëri, me dy protagonistë shqiptarë. Mendoj se ky çmim është një shenjë e mirë. Ndoshta vitin tjetër mund të jem sërish me filmin tim atje’’

Filmi “Influenza” – Feliks Shaeffer (Gjermani) që fitoi ÇMIMIN SPECIAL TË FESTIVALIT, me të cilin organizatorët vlerësuan kontributet e kineastëve, pati premierën e tij botërore në Tiranë, ku u shfaq në amfiteatrin e Universitetit të Arteve në një nga netët e festivalit.

Mbrëmja e ndarjes së çmimeve nisi me çmimet DEA për konkurimet në Seksionet e Filmit Studentor dhe Filmit të Shkurtër, seksionet me aplikimet më të shumta në të gjithë këto Njëmbëdhjetë vjet të rrugëtimit të DEAs, synimi i të cilave ka qenë dhe mbetet promovimi i pikëvështrimeve interesante dhe karrierave premtuese në kinematografi.

Ofertën filmike në Programin dhe Konkurimin e Filmit Studentor e ndoqi Juria e Filmit të Shkurtër dhe Studentor e përbërë nga: Ismail Kasumi (kryetar – Maqedoni e Veriut), Branka Bešević Gajić (anëtare – Kroaci), Andia Xhunga (anëtare – Shqipëri), Blerdi Malushi (anëtar – Kosovë)
Në këtë edicion, pjesë e Konkurimit/Programit të Filmit Studentor u bënë 11 filma nga 9 vende të botës, ndër të cilët: Greqia, Bullgaria, Armenia, Hollanda, Letonia, Spanja, Irani, Turqia, shqetësimi kryesor i të cilëve mbetet raporti i njeriut me botën përreth apo i individit me komunitetin.

Në kategorinë Filmi më i Mirë Studentor u nominuan këto kontribute:

Sera – George Georgakopoulos – Greqi 2023
Më pranë – Santiago Rivero – Letvia 2023
Rreth meje – Maryam Tarami – Holandë 2023
Kupa DEA për filmin Studentor më të Mirë shkoi për: Sera “Greenhouse” – George Georgakopoulos – Greqi 2023

Branka Bešević Gajić – Anëtare e Jurisë së Filmit të Shkurtër dhe Studentor dha përshtypjet, ndërsa foli dhe për motivacionin;
’’Filmi “Greenhouse” është një film i arritjeve të vecanta dramaturgjike, regjisoriale dhe vizuale, cka e bën atë një vepër autoriale dinjitoze, me një vërtetësi të jashtëzakonshme aktoriale, e cila e nxit shikuesin të ndjekë me vëmendje rrëfimin e filmit’’
Ndarja e çmimeve vijoi me nominimet e Jurisë ne kategorinë, Filmi i Shkurtër më i Mirë, i përzgjedhur në 19 filma të Shkurtër nga 15 vende të botës, në fokus të të cilëve mbetet te njeriu dhe sfidat e tij në marrëdhëniet me veten, komunitetin dhe mjedisin.

Filmi i Shkurtër më i mirë u shpall: Motrat – Jordi Sanz Angrill – Spanjë 2023.

Ismail Kasumi, Kryetar i Jurisë së Filmit të Shkurtër dhe Studentor tha se ky film paraqet një nivel të lartë artistik: ‘‘Një film i cili paraqet një nivel të lartë artistik, në të gjithë komponentët e tij, me një përputhje të veccantë artistike në formë dhe përmbajtje, duke krijuar kështu një vërtetësi, që të mbërthen‘‘.

Sivjet, ky çmim për herë të parë ka një karakteristikë të veçantë, të cilën e zbuloi Drejtorja e Programit të Filmit të Shkurtër, Ajola Daja.

Duke e konsideruar filmin, si median prioritare të kohës sonë, e cila e ndikon shoqërinë po aq sa media dhe shpesh edhe më shumë, Çmimi i Medias i DEA International Film Festival vlerësoi produktin – nga shkalla e angazhimit qytetar të krijimit artistik për çështje të rëndësishme të komunitetit.
Juria e Medias ndau dy çmime – një për kategorinë e Filmit të Shkurtër dhe një për kategorinë e Filmit me Metrazh të Gjatë.

Filmat konkurues në programin e Filmit të shkurtër i vlerësoi nga ky këndvështrim tradicionalisht Juria e medias, e përbërë nga: Alida Cenaj (kryetare), Anila Basha (anëtare) dhe Edi Oga (anëtar).
Çmimi Special i Medias në Konkurimin e Filmit të Shkurtër dhe motivacioni i tij u dha nga anëtarja e jurisë së medias Anila Basha për filmin ’’Akuariumi’’ – Gianluca Zonta – Itali 2024.

’’Përballja me inteligjencën artificiale, e cila gjithnjë e më shumë po bëhet faktor dhe po u vë vulën marrëdhënieve njerëzore, duke vënë në dyshim vërtetësinë e jetës dhe marrëdhënieve tona shoqërore. Filmi “Aquarium” e sjell këtë ballafaqim dhe reflektim njerëzor, si një mesazh dhe thirrje në formë satirike duke na bërë ta ndjekim me dëshirë dhe vëmendje’’.

’’Jam shumë i nderuar dhe i lumtur që fitoj këtë çmim, dhe ju falenderoj për motivacionin. Është e rëndësishme për mua të tregoj këtë histori, për ndikimin që ka teknologjia në jetët tona’’-u shpreh fituesi Gianluca Zonta

Për Çmimin special të Medias në kategorinë e Filmit me Metrazh të Gjatë, të nominuar ishin:

Djali i Diskos – Giacomo Abbruzzese – Itali, Francë, Belgjikë, Poloni 2023
Qingji i nënës – Umut Evirgen – Turqi 2023
Okarina – Alban Zogjani – Albania 2023

Edi Goga dorëzoi çmimin Special të Medias në Konkurimin e Filmit me Metrazh të Gjatë për Okarina – Alban Zogjani – Albania 2023. “Okarina” përcjell një realitet të dhimbshëm, në të cilin po jetojnë një pjesë e mirë e emigrantëve, duke na sjellë kështu një mesazh të rëndësishëm, i cili synon ta bëjë shoqërinë dhe politikën të reflektojë. Me një frymë të lartë vërtetësie dhe mjeshtëri regjisoriale, filmi depërton te shikuesi, duke e bërë atë pjesë të dramës’’.
Regjisori Alban Zogjani i pranishëm në marrjen e çmimin falenderoi të gjithë ata që vlerësuan flmin.
CMIMI SPECIAL I FESTIVALIT, me të cilin organizatorët vlerësojnë kontributet e kineastëve, që pavarësisht vështirësive objektive apo subjektive, me të cilat ndeshen, nuk dorëzohen, por bëjnë gjithçka të mundur e të pamundur për ta bërë prezent mendimin e tyre artistik në treg.
Në emër të organizatorëve, vendimin e kësaj here e zbuloi, Drejtori i Programit të Filmit me Metrazh të Gjatë, Genc Përmeti.
Për filmin “Influenza” – Feliks Shaeffer (Gjermani). Filmi indipendet, i cili në amfiteatrin e Universitetit të Arteve pati premierën e tij botërore.
’’Ju falenderoj shumë. Falenderoj organizatorët e Festivalit që na krijuan këtë hapësirë të madhe dhe të mrekullueshme.Ndjehem i veçantë që më zgjodhët. E kam bërë këtë film pa shumë para, por me një ide të çmendur. Ju falenderoj për këtë ceremoni’’- u shpreh fituesi Feliks Shaeffer

Programi i filmit me metrazh të gjatë mbetet programi qëndror dhe konkurimi kryesor i festivalit. Oferta e kësaj here përfshiu filma nga Italia, Portugalia, Turqia, Moldavia, Kosova dhe Gjermania. Konkurimi në këtë program u ndoq nga juria e Filmit me Metrazh të gjatë, e përbërë nga: Frank Döhmann (kryetar – Gjermani), Chema González (anëtar – Spanjë), Ylli Pepo (anëtar – Shqipëri), Marco Morini (anëtar – Itali), Naser Shatrolli (anëtar – Kosovë).
Në kategorinë DEA për Aktorin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, ku të nominuar ishin:

Jehon Gorani – Okarina – Kosovë 2023
Franz Rogoëksi – Djali i Diskos – Itali, Francë, Belgjikë, Poloni 2023
Anatoliy Burlaku – Kretsul – Moldavi 2023

Aktori VASJAN LAMI dorëzoi Kupën DEA për Aktorin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, për Jehon Gorani – në filmin Okarina – Kosovë 2023. Ai theksoi se filmi është një paraqitje e përmbajtur, por edhe emocionale : ’’Një paraqitje e permbajtur, por megjithatë emocionale e një burri që po përballon kolapsin e marteses dhe fillimin e një jete të re nën kërcënimin e politikave të padrejta të migracionit. Ai vuan në një mënyrë kaq natyraliste dhe stoike, saqë mund të thuhet se eshte krejt i vërtetë për qenien tonë njerëzore’’.
Jehon Gorani falenderoi për çmimin me një videomesazh :
’’Në këto mbi 30 vite karrierë, ky është çmimi i parë që marr për një rol.Ju falenderoj të gjithëve ju që më kenë besuar dhe vlerësuar. Falenderoj të gjithë ekipin e filmit, jurinë dhe ju për këtë nder të jashtëzakonshëm’’
Në kategorinë DEA për Kamerën më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, Kupa DEA shkoi për Helene Louvart – Djali i Diskos – Itali, Francë, Belgjikë, Poloni 2023.

Duke lexuar motivacionin Spartak Papadhimitri dorëzoi kupën : ’’Helene Louvart ia del të gjejë imazhe mbresëlënëse për këtë rrëfim në skajin e shoqërisë dhe në buzë të humnerave të shoqërisë sonë, ku shumëçka është mezi e dukshme, dhe aq më pak e kuptueshme’’.
Në kategorinë DEA për Skenarin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, çmimin e mori Artur Serra Araújo – Dulcinea – Portugali 2023

Në kategorinë DEA për Regjinë më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë,

Kupa DEA shkoi për Alexandra Likhacheva – Kretsul – Moldavi 2023
Regjisorja Alexandra Likhacheva na çon në një udhëtim të gjatë me dy protagonistët e saj dhe krijon një lojë tepër autentike dhe një rrëfim eliptik inteligjent në një botë shumë konkurruese.

Çmimet e fundit të çdo mbrëmjeje ndarjesh çmimesh DEA, janë simbole të respektit për kontributet e individualiteteve të shquara të ekranit.
DEA e karrierës, emërtuar si DEA e MIRËNJOHJES sivjet shkoi në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për jetën dhe veprimtarinë e një prej emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare – post mortum Kristaq Dhamo
Ky çmim u dorëzua nga Drejtori i DEA OPEN AIR Edmond Topi

’’Të dashur miq, organizues dhe pjesëmarrës. Në emrin tim dhe të familjes sime ju falenderoj që keni vlerësuar figurën e babait tim Kristaq Dhamo. Kristaqi ia dha të gjithë pasionin e tij kinematografisë dhe kishte respekt për artin dhe artistin. Jam e bindur se do ta kishte pritur me shumë kënaqësi këtë dedikim të mirënjohjes’’- u shpreh Rudina Dhamo, e bija e artistit përmes një video mesazhi.

Dea HOMAZH sivjet iu dedikua prej aktorëve më të njohur të teatrit dhe kinematografisë shqiptare Mirush Kabashi. Këtë çmim e mori në dorëzim njëri prej miqve të tij të ngushtë, Ylljet Aliçka

Me falenderimin për mbështetjen dhe kthimin sërish vitin e ardhshëm Mirela Oktrova Drejtoresha artistike e DEA OPEN AIR e deklaroi të mbyllur mbrëmjen Gala të ndarjes së Çmimeve të Dea – International Film Festival – Tiranë 2024. Kuarteti i harqeve luajti një prej perlave të muzikës popullore shqiptare, “Bareshën”, ndërsa në skenë u ngjitën të gjithë pjesëmarrësit për foton tradicionale përmbyllëse./ balkanweb/ KultPlus.com

Të ngjajshme