19 Dhjetor, 2022 - 9:14 pm
Festivali i filmit “Hyjnesha në Fron” shënoi edicionin e 15-të të tij. Në Kino “Armata” në Prishtinë për tre ditë me radhë janë shfaqur filma dhe janë mbajtur aktivitete artistike nga komuniteti i film-krijuesve dhe film-dashësve, përcjell KultPlus.
Festivalin “Hyjnesha në Fron” tashmë tradicional në vendin tonë, jemi mësuar të ndjekim gjatë stinës së verës por këtë edicion jubilar, të 15-tin me radhë e majti në fundvit.
Kështu publiku dhe filmdashësit patën mundësi të mbyllin vitin 2022 me shumë filma vendas e ndërkombëtar.
Në këtë edicion ishin 16 filma në kategoritë filmi i shkurtër dhe filmi i gjatë.
Të dielën është shënuar ceremonia përmbyllëse e edicionit të 15-të, ku janë ndarë çmimet:
Filmi i metrazhit të shkurtër:
• Filmi më i mirë : The table of the grove (Kosova);
• Regjia më e mirë : La Clé De L’amour- (Zvicra);
• Aktor/ja më i/e mirë : Mentor Zymberaj;
• Skenari më i mirë : Taking the desert;
• Hyjnesha në Fron : Kristali;
• Fotografia më e mirë : Bujar Zeqiri;
Filmi i metrazhit të gjatë :
• Filmi më i mirë: Internment;
• Regjia më e mirë: Kastriot Avdyli;
• Aktor/ja më i/e mirë : Klodi Hoxha
• Skenari më I mirë : Kastriot Avdyli
• Hyjnesha në Fron : Medea
• Çmimi për vepër jetësore : Selman Lokaj (me votim të komunikimit artistik).
Juria për ndarjen e çmimeve ishte e përbërë nga artistë vendore dhe ndërkombëtar (Maqedonia, Zvicra dhe Kanadaja).Pjesë e jurisë për metrazhin e filmit të gjatë ishin : Maryam Zahirimehr, Petra Terzi, Faik Spahiu, Ilir Ajdini dhe Ilirjan Himaj. Ndërsa anëtarët e jurisë për kategorinë e filmit të metrazhit të shkurtër ishin : Jeton Zogjani, Valina Muçolli dhe Arbër Krasniqi.
Çmimin “Vepër jetësore” e ndau aktori Besim Ajeti që njëherësh është themelues i festivalit “Hyjnesha në fron” në vitin 2002.
Në këtë edicion janë shfaqur shumë projekte filmike vendore dhe ndërkombëtarë por mbi të gjitha vlen të theksohet që festivali ka filluar me prodhimin e filmit. Filmit i shkurtër ”N’sytë e Katës” me regji të regjisorit Shkëlzen Sylejmani – është prodhim i këtij edicionit të Festivalit “Hyjnesha në fron” që trajton temën e personave me nevoja të veçanta në kohëra lufte.
Drejtori i festivalit “Hyjnesha në fron”, Enis Brahimi zotohet që festivali do të vazhdoj zhvillimin e tij edhe në vitet në vijim, ku së shpejti do të hapet edhe mundësia për aplikim në Edicionin e 16-të për vitin 2023. / KultPlus.com