11 Prill, 2022 - 11:15 am
Alexander Skarsgård dhe Anya Taylor-Joy, parakaluan mbi qilimin e kuq të shtruar për premierën e filmit të tyre historik, “The Northman”, në Londër.
Filmi i cili vjen me regji të Robert Eggersit, i njohur për filmat “The Witch” dhe “The Lighthouse”, është një triler epik i hakmarrjes. Ai e eksploron historinë e një princi viking dhe faktin se sa larg është i gatshëm të shkojë, për ta siguruar drejtësinë për babanë e tij të vrarë.
Skenari është bashkëshkruar nga Eggers dhe shkrimtari e poeti islandez, Sjón, raporton agjencia e lajmeve “AP”.
Xhirimi i filmit në Irlandën Veriore ishte një proces i komplikuar dhe i shoqëruar me disa sfida. Pandemia e koronavirusit shkaktoi vonesa diku rreth pesë muaj dhe aktori protagonist, Alexander Skarsgård, i cili kishte kaluar muaj të tërë duke formuar muskuj për këtë rol, u detyrua të vazhdojë ta mbajë dietën e ashpër dhe të presë deri sa ekipit të filmit t’iu mundësohej rikthimi në punë.
“Ky është një moment emocional për mua. Realizimi i këtij filmi ka qenë një aventurë e jashtëzakonshme, një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë për të arritur deri në këtë premierë. Prandaj, të jem i sinqertë, po ndihem paska i emocionuar”, tha Skarsgård.
Edhe Anya Taylor-Joy e cila në të kaluarën ka luajtur në filmin e regjisorit Eggers, “The Witch”, ishte përballur me vështirësi të shumta gjatë xhirimeve të këtij projekti. Gjëja më e vështirë për aktoren ishte t’i bënte ballë të ftohtit.
Në premierë ajo tregoi se për të, bashkëpunimi më regjisorin ishte i lehtë pasi e njeh mirë stilin e tij të punës.
“Të jem e sinqertë, unë kurrë më parë nuk kam parë diçka të tillë. Çdo skenë e filmit është kaq tërheqëse vizualisht, dhe mendoj se performancat që të gjithë aktorët i kanë bërë dhe përkushtimi që ata kanë dhënë për këtë projekt, janë vërtet të veçanta. Kjo ishte një eksperiencë e paharruar për mua”, shtoi aktorja.
Regjisori i filmit tha se, Skarsgård, po ashtu ishte një person i cili kërkonte që gjërat të realizoheshin në mënyrë të përkryer.
“Alexander ishte shumë i përkushtuar dhe dëshironte ta arrinte perfeksionin absolut në këtë film. Dhe sado që ankohej se po e çmendja me kërkesat e mia për t’i rixhiruar skenat, më kujtohen disa raste kur ishte vet ai i cili kërkonte ta përsërisnim ndonjë skenë, ngase dëshironte që gjithçka të ishte e përkryer”, deklaroi Eggers.
Pjesë e kastës së aktorëve të filmit janë edhe yjet: Ethan Hawke, Nicole Kidman, Willem Dafoe, Claes Bang, Bill Skarsgård dhe këngëtarja Björk.
Historia e filmit bazohet në një përrallë popullore skandinave që gjithashtu e frymëzoi tragjedinë e William Shakespearet, “Hamlet”.
“The Northman” lansohet nëpër kinematë e Britanisë së Madhe më 15 prill, kurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës fillon së shfaquri nga 22 prilli. / KultPlus.com