9 Korrik, 2019 - 1:30 pm
Rreth 300 filma të animuar, me një llojllojshmëri te pasur artistike me temë kryesore shpresën dhe frikën, do të shfaqen në kuadër të Festivalit ‘Anibar”, që mbahet në Pejë nga 15-21 korrik.
Kështu bënë të ditur zyrtarë të Anibar International Animation Festival, i cili fillon më 15 korrik dhe do të zgjasë deri më 21 korrik.
Drejtori i Festivalit, Vullnet Sanaja, tha se ka qenë shumë e rëndësishme që në këtë edicion të kenë laramani.
Ai bëri të ditur se në këtë vit jubilar të këtij festivali, do të kenë një përfshirje të aktiviteteve të ndryshme që do të shfaqen në 5 kinema të Pejës.
“Tema e këtij edicioni flet për shpresat dhe frikët. Kemi pasur një mijë aplikime, prej tyre janë përzgjedhur 300 filma. Edhe këtë vit kemi vazhduar t’i angazhojmë studentët nga Kosova në mënyrë që të rrisim kritikën e tyre”, tha ai.
Leonora Aliu, koordinatore për media, tha se edhe kësaj radhe janë përqendruar për një program sa më të pasur.
“Në edicionin e 10 të festivalit do të kemi 300 filma të animuar, 15 programe speciale, 4 workshope për te rinj, 3 masterklasa dhe mysafirë specialë, regjisorët e serialit ‘Rick and Morty'”, tha ajo. / KultPlus.com