12 Tetor, 2021 - 11:31 am
Mbrëmjen e djeshme, ka çelur siparin në qytetin e Gjirokastrës, edicioni i 6-të i Ani Fest A-Gjiro, Festivali i Filmit Ndërkombëtar Evropian për Fëmijë.
Ky organizim i Bashkisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Maku Production, do të sjellë në ekranin e kinemasë për spektatorët e vegjël, filma cilësore të kinematografisë evropiane për fëmijë. Sipas drejtorit të festivalit Artan Maku, Gjirokastra është një qytet i veçantë për organizimin e aktiviteteve të tilla, duke përfshirë edhe shfaqjen e filmave për fëmijë.
“Ne synojmë tërheqjen e spektatorëve të vegjël për transmetimin e filmave në ekranin e kinemasë. Në profilin e vet, ky festival filmi është një aktivitet më shumë për fëmijët, ndërsa filmat pjesëmarrës përcjellin vlera argëtuese dhe edukative”, shprehet drejtori i festivalit.
Për kryetarin e bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, organizimi i Anifest A-Gjiro është vazhdim i aktiviteteve të zhvilluara nga bashkia, duke gjallëruar Gjirokastrën edhe në këtë stinë vjeshte.
“Nëpërmjet organizimeve të përbashkëta me shkollat dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Fato Berberi”, gjatë muajve të verës fëmijët ishin iniciatorë dhe pjesëmarrës në një sërë eventesh. Bashkia Gjirokastër do të vazhdojë të ketë në vëmendje organizimin e aktiviteteve artistike, kulturore dhe sportive për fëmijët”, shprehet kryebashkiaku Golemi.
Festivali i filmit Anifest A-Gjiro do të zgjasë për tri ditë ndërsa nga juria e festivalit do të akordohen edhe vlerësime për filmat pjesëmarrës. /atsh/ KultPlus.com