14 Shtator, 2022 - 10:02 pm
‘Në kërkim të Venerës’ me skenar dhe regji nga Norika Sefa, është përzgjedhur nga komiteti selektues si kandidati që propozon Kosova në garën e Akademisë së Çmimeve të Oscars për vitin 2023, përcjell KultPlus.
“Përveç rrugëtimit të suksesshëm në festivale, ‘Në kërkim të Venerës’ përfaqëson autenticitetin por edhe shumëllojshmërinë tematike që trajton kinemaja kosovare viteve të fundit. Në mënyrë të pashembullt filmi të bën të vëzhgosh nga distanca, përderisa në të njëjtën kohë të lidhë me secilin personazh. Ne besojmë se bota ka nevojë për filmbërës autentikë, dhe qasja e gjuha unike e Norika Sefës e bën filmin një kandidat të denjë për këtë garë.” u shpreh komiteti selektues i Kosovës përgjegjës për përzgjedhjen e kandidatit të Kosovës.
Filmi përcjellë adoleshenten e qetë Venerën (luajtur nga Kosovare Krasniqi) që jeton në një qytet të vogël në Kosovë. Në shtëpi, ku tre breza jetojnë së bashku në një shtëpi të vogël, ajo nuk ka aspak privatësi.
“Jam veçanërisht i gëzuar që ‘Në kërkim të Venerës’, një jetë-botë e një adoleshente e krijuar mjeshtërisht, dhe një vepër thuajse fiksion etnografik shqisor i një fshati të vogël, është zgjedhur të përfaqësoj Kosovën në platformën më të madhe të kinemasë në botë.” shtoi, Lum Çitaku, drejtuesi i Qendrës Kinematografike të Kosovës pas vendimit të komitetit selektues.
Komiteti selektues i aprovuar nga Akademia e Çmimeve e Oscars ishte e përbërë nga kineastët nga Kosova: Ismet Sijarina, Blerta Basholli, Samir Karahoda, Visar Morina, Alban Uka, Valmira Hyseni, dhe Eniz Saraçi.
Me producent Besnik Krapin, drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazha Stefan Stabenow, skenografia Arben Shala, zëri Risto Alchinov, kostumografia Desantila Lika, grimi Lidona Berisha. Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj.
“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut, Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Kaçanikut. / KultPlus.com