18 Korrik, 2018 - 5:13 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku kanë nënshkruar memrondumin e bashkëpunimit për realizimin e projektit “Kujtesa e Kosovës: Histori Gojore – 100 Rrëfime nga 100 Pleq e Plaka”.
Projekti, “Kujtesa e Kosovës: Histori gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka” ka për qëllim mbledhjen, dokumentimin, publikimin dhe promovimin e historive gojore të personave të moshuar të Kosovës dhe që përmes trajnimit të formohet një model dhe një qendër informative dhe trajnuese për krijimin e një bashkëpunimi të fuqishëm për historinë gojore në mes të studentëve, stafit të Bibliotekës, hulumtuesve të rinj dhe përfaqësuesve joqeveritar.
Temat që trajtohen në historitë gojore të 100 të moshuarve të intervistuar do të jenë tema mbi organizimin e jetës, zakonet, organizimin e fshatit, duke përfshirë këtu zakonet ekonomike e edhe marrëdhëniet tregtare brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu do të mblidhen historitë gojore të mbajtjes së fesë dhe tolerancës, artit dhe zejtarisë, martesave dhe të drejtave të grave në përgjithësi.
Në bazë të memorandumit MKRS-ja merr për obligim mbështetjen financiare të projektit në një vlerë prej 15 mijë euro. Ndërsa, BKK-ja është përgjegjëse për zbatimin e projektit në fjalë.
Ministri Gashi me këtë rast vlerësoi se me nënshkrimin e këtij dokumenti po mundësojmë konkretizimin e një projekti të rëndësishëm për të kaluarën dhe historinë tonë.
“Përkrahja e MKRS-së për projekte të cilat dokumentojnë dhe promovojnë jetën dhe zakonet e të së kaluarës së popullit të Kosovës është në kuadër të politikave që kemi marrë përsipër t’i avancojmë dhe është obligim i yni kundrejt qytetarëve”, tha mes tjerash ministri Gashi.
Ndërsa, drejtori Gajraku falënderoi ministrin Gashi për gatishmërinë e treguar për projektin në fjalë dhe për tërë mbështetjen që ai dhe ministria kanë për BKK-në.
Gajraku nënvizoi se projekti do t’i shërbejë shumë Bibliotekës për studimet e mëtejme dhe trajnimin e stafit dhe studiuesve pasionantë. / KultPlus.com