Nesër nis Festivali ndërkombëtar i filmit “Dea open air”

14 Tetor, 2021 - 5:00 pm

Festivali ndërkombëtar i filmit “Dea open air” me 56 filma të huaj dhe shqiptarë do të zhvillohet në datat 15-19 tetor në Tiranë në edicionin e tetë të tij.

Në garë për çmimet “Dea” komisionet e përzgjedhjes kanë menduar të përfshijnë në programin e këtij viti gjithsej 56 filma, nga të cilët 7 në seksionin e filmit me metrazh të gjatë ose konkurrimin kryesor, 3 në programin Cine Ko, 15 në seksionin e filmit të shkurtër, 15 në seksionin e filmit studentor dhe 16 në seksionin e filmit dokumentar. Kategorizimi reflekton si natyrën e krijimtarisë ashtu edhe profilin e autorëve të tyre.

Drejtori i festivalit është Edmond Topi,  drejtoreshë artistike Mirela Oktrova dhe drejtori i programit të filmit me metrazh të gjatë Genc Përmeti.

Filmat do të shfaqen në kinema Dea 2 – salla “Black Box” e Univeristetit të Arteve. Programi i filmit studentor do të ofrohet në mjediset e akademisë “Dea”- galeria FAB e UA.

Të gjithë pjesëmarrësit kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e festivalit.

Organizuesit e festivalit shprehen se edicioni i tetë i festivalit zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Universitetit të Arteve dhe Ministrisë së Kulturës së Kosovës.

Filmat e paraqitur dhe autorët që marrin pjesë në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit mars. / atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme