13 Dhjetor, 2022 - 10:00 pm
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë do të organizojë shfaqjen e filmit me metrazh të shkurtër ‘Mjegull’ me regji nga Fadil Hysaj dhe Ujkan Hysaj, i mbështetur nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës, përcjell KultPlus.
Shfaqja e filmit do të mbahet nesër duke filluar nga ora 18:00 në Qendrën e Dokumentimit Kosovë e cila gjendet në bibliotekën e qytetit ‘Hivzi Sulejmani’ në Dardani, Prishtinë, ku pas filmit do të ketë bashkëbisedim me regjisorin Fadil Hysaj.
Filmi rrëfen historitë e Arife Gashit, Mihrije Ujkanit dhe Velibor Adzancic, tre nga familjarët e të zhdukurve si rezultat i luftës në Kosovë. Filmi përdor një narracion të dyfishtë, në plan të parë është rrëfimi i secilit familjar, në ambientet shtëpiake gjatë jetës së përditshme, më pas narracioni zhvendoset në vendet ku për herë të fundit secili nga ata i panë të dashurit e tyre dhe në këtë pikë historia tregohet përmes lojës së aktorëve të cilët i përjetësojnë edhe njëherë këto kujtime, si në mjegull.
Familjarët e mbi 1600 personave të zhdukur janë ende në pritje të lajmeve për fatin e të dashurve të tyre. Familjet kanë të drejtë të dinë. Autoritetet e mbartin përgjegjësinë kryesore për të siguruar përgjigje.
Shfaqja e këtij dokumentari vjen si pjesë e bashkëpunimit të Qendrës së Dokumentimit Kosovë me autorë, artistë dhe hulumtues ku do të prezantohen dhe diskutohen punë dhe vepra artistike që trajtojnë tema të ballafaqimit me të kaluarën dhe drejtësinë tranzicionale.
Shfaqja dhe diskutimi mbështetet nga Konfederata Zvicerane – Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme dhe National Endowment for Democracy (NED). / KultPlus.com