Netët e filmit në Gjakovë, me program të ri

25 Tetor, 2017 - 10:15 am

Parku Kulturor “Ali Podrimja” këtë verë riktheu kinemanë në Gjakovë përmes një projekti të kinos së hapur në sheshin publik me po të njëjtin emër – Ali Podrimja, duke organizuar rreth 31 ngjarje, e projektuar 33 filma dhe dokumentarë vendor e të huaj.

Pas mbarimit të sezonit veror, ky projekt në bashkëpunim me Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë sjell dy net filmi në këtë qytet përmes një programi të zgjedhur në bashkëpunim me DokuFest.

Nata e parë, të mërkurën e 25 tetorit ka në program shfaqjen e filmit “Searching for Sugar Man”, fitues i çmimit Oscar, i cilësuar nga plotë kritik të filmit si një përmbajtje mahnitëse në tingujt e muzikës dhe trilerit, me një storie që nuk bën të humbet.

Natën e dytë, të enjten, planifikohet projektimi i “The Act of Killing” me regji të legjendarit botëror Joshua Oppenheimer, film i nominuar për çmimin Oscar dhe i vlerësuar si një kryevepër unike.

Të dy shfaqjet fillojnë nga ora 19:00 dhe zhvillohen në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës “Asim
Vokshi” në Gjakovë.

Vlen të theksohet që të hyrat nga biletat simbolike do të shkojnë si donacion për renovimet dhe mirëmbajtjen e Pallatit të Kulturës. / KultPlus.com

Të ngjajshme