2 Gusht, 2023 - 2:50 pm
Rikthimi i Barbie-t, Mission:Impossible, Top Gun, Teenage Mutant Ninja Turtles, Indiana Jones, etj, mund të krijojnë idenë se kinemaja po riciklon me dembelizëm idetë e vjetra.
A thua kaq e vështirë është të prodhohen ide të reja?!
Në fakt jo! Nuk është kjo pyetja që duhet ngritur. Ekspertët mendojnë se një tjetër arsye po na rikthen pas. Dhe ajo është nostalgjia, ose ndenja e të kujtuarit me dashuri, kohën e shkuar.
Është kjo ndjesi që “po ngop” ekranet tona dhe deri tani është vërtetuar se është një ushqim shumë i dëshiruar për publikun. Jo më kot dhe jo rastësisht, Barbie po thyen rekordet e fitimeve.
Po pse është kaq e lehtë të biesh “në grackën” e nostalgjisë?!
Nëse e sheh me syrin e parë duket fare e thjeshtë përgjigja; ngjallja e ndjenjave të bukura, nga e kaluara jonë, na bën të ndjehemi mirë në të tashmen tonë.
Por në fakt nuk është kaq e thjeshtë.
“Kur mediumet na servirin nostalgji në “pjatën” e të përditshmes ne reflektojmë se çfarë kemi arritur, nga qëllimet që kemi pasur dikur”, thotë Kristyne Batcho, një profesoreshë psikologjie në kolegjin “Le Moyne”. Ajo studion prej vitit 1990 nevojën që ka njeriu për nostalgjinë. Madje Batcho i ka tejkaluar studimet e saja, sepse ka krijuar një databaze të nostalgjisë që vlerëson sesa nevojë ka qenia njerëzore për ndjenjën e nostalgjisë.
Shkencëtarët gjithnjë e më shumë po e studiojnë nostalgjinë. Në vitin 2014-të u botua një libër për nostalgjinë. Shkurtin e vitit të kaluar revista “Current Opinion in Psychology” i kushtoi një edicion të plotë vetëm studimeve mbi nostalgjinë dhe sesi ndikon ajo te njeriu. Në një nga shkrimet e kësaj reviste Ziyan Yang, profesor në Institutin e Psikologjisë në Akademinë e Shkencave të Kinës, shpjegoi se “ndërsa njeriu përjeton nostalgji provon një ndjesi ngrohtësie, dashurie dhe përkatësie”.
Përmes nostalgjisë njeriu përjeton një lloj udhëtimi në kohë. Të gjitha këto ndjesi i shtyjnë njerëzit ta kërkojnë nostalgjinë. Duan ta përjetojnë atë edhe duke parë një film, edhe duke dëgjuar muzikë, duke parë një program televiziv apo teksa lexojnë një libër.
Yang pohon se filmat sidomos por edhe muzika e “ngacmojnë” lehtësisht ndjenjën e nostalgjisë te njeriu. Nostalgjia madje shihet si një lloj terapie, veçanërisht ngushëlluese, në kohë të vështira.
Shumë studiues besojnë se pandemia COVID-19 e nxiti dhe e rriti nevojën e njerëzve për momente nostalgjie. Kjo ndodhi pikërisht sepse, nostalgjia mund të na ndihmojë të ndihemi më mirë. Dhe mediumet janë një burim i fuqishëm që e ofrojnë atë.
“Konsumi i mediumeve që nxisin nostalgjinë rritet në kohë krize”, thotë një tjetër studim i botuar në “Psychology of Popular Media”.
“Nostalgjia është një mënyrë për t’u përballur me fenomene si izolimi social ose shkëputja nga bota që të rrethon, vetmia. Kohët e fatkeqësisë mund të shkaktojnë nostalgji, sepse të kujtuarit se kush ishim ndihmon në vazhdimësinë e tonë”, thonë psikologët.
Pjesa më e madhe e njerëzve kujton periudha nga fëmijëria. Psikologët thonë se një arsye e madhe për këtë është se “në fëmijëri, ne na donin thjesht për atë që ishim“.
Çfarë po i bën trurit tonë gjithë kjo nostalgji?
Hulumtimet kanë zbuluar se nostalgjia mund të rrisë ndjenjën tonë të mirëqenies, të nxisë frymëzimin dhe kreativitetin, të na bëjë të ndihemi më të rinj, optimistë dhe energjikë, madje edhe të na inkurajojë të ndërmarrim rreziqe dhe të ndjekim qëllimet tona që kemi pasur dikur. Me fjalë të tjera, ne po bëjmë shumë më tepër sesa thjesht po rikthehemi pas në kohë me kujtimet tona të bukura. Ne po i japim një qëllim vazhdimësisë tonë.
Por kujtimet nuk janë gjithmonë të bukura.
Ndonjëherë kujtimet tona janë të hidhura apo edhe të trishtuara. “Por edhe kur kujtimet që na vijnë në mendje janë të këqija është pozitive fakti që i risjellim në mendje sepse pasi vitet kanë kaluar ne i shohim ato përmes një filtri tjetër“, thotë profesori i psikologjisë, Ziyan Yang.
Pasi vitet kalojnë në kujtojmë një version të romantik të së shkuarës sonë.
Sipas psikologëve që kanë studiuar ndjenjën e nostalgjisë, ka një arsye pse kujtimet tona bëhen më të dashura me kalimin e kohës, pse pjesët negative priren të zhduken më shpejt me kalimin e viteve. “Është një funksion i mbijetesës së specieve. Që të mbijetojmë ne i hedhim poshtë pjesët e këqija të së kaluarës sonë.”
Por në përgjithësi, nostalgjia është një komponent i shëndetshëm, madje jetik i përvojës njerëzore. Në thelbin e saj, nostalgjia na ndihmon të kthehemi te vetja , duke na kujtuar se kush ishim dhe çfarë duam të bëhemi./KultPlus.com