16 Tetor, 2019 - 2:34 pm
Ardianë Pajaziti
Një telefonatë e papritur ia ka prishur rutinën shumë vjeçare. Oferta për të qenë në një film të metrazhit të gjatë dhe në një ndër rolet kryesore, Fatmire Sahitin e ka vënë në një sprovë shumë të madhe, ta pranonte këtë rol, apo të shihte një grua tjetër duke luajtur rolin të cilin ia kishin ofruar.
E profilizuar në juridik dhe për shumë vite duke punuar si zyrtare në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Sahiti nuk e kishte menduar se do të merrte ofertë për një rol kryesor, e aq më pak të sfidohej në shesh xhirim me aktorët më të njohur kosovarë.
Ajo kujton ditën kur e kishte pranuar këtë telefonatë, në një kafe të pasdites që ishte duke e shijuar me shoqet e saj.
“Isha me shoqe duke pirë kafe, më cingëroi telefoni dhe regjisorja e filmit “Zana”, Antoneta Kastrati më tregoi se kishte menduar që të më ofronte një ndër rolet kryesore në film, atë të vjehrrës”, ka treguar Fatmire Sahiti për KultPlus.
Qysh nga ajo bisedë, ajo kishte luftuar shumë me veten se nëse do të duhej të vazhdonte jetën e deritanishme, apo të sfidohej me botën e filmit.
Fatmire Sahiti, amatore në fushën e kinematografisë, por që në rininë e hershme kishte luajtur në disa shfaqje në Teatrin e Ferizajt, për herë të parë kishte pranuar një rol në filmin e metrazhit të shkurtë “Anestezioni”, me regji të birit të saj, Noar Sahitit.
“Noari më është lutur shumë që të pranoj rolin në filmin e tij, por duke e ditur se edhe po e ndihmoj djalin tim që ta bëj filmin, me të cilin edhe diplomohej, unë pata pranuar të luaja, por nuk e kisha menduar që pikërisht ky rol do të më sillte një rol edhe më të madh, atë të filmit “Zana”, që tashmë Kosova e ka propozuar për çmimin Oscar”, ka thënë Sahiti.
Pas telefonatës me Antonetën, kishin pasuar bisedat e shumta me djalin e saj, i cili, sipas Fatmires, kishte insistuar shumë që ta pranonte rolin.
Para se të futej në film, krejt kjo ofertë, pikërisht jetën e Fatmires e kishte shndërruar në një film, ku nga një fytyrë anonime kishte shansin që të prezantohej në ekrane të mëdha.
Fillimisht kishte lexuar skenarin, më pas kishte dëgjuar rrëfimin personal të regjisores dhe dilema e saj kishte filluar të merrte formë drejt përgjigjes po, dhe nga Fatmire Sahiti juriste, të futej në lëkurën e Remzies, atë të rolit të vjehrrës që bartë në filmin “Zana”.
“Kur jam takuar me Antonetën, ajo më ka treguar se filmi që do të xhirohej ka pjesë edhe të dhimbjes së saj, pasi që përgjatë luftës, ajo kishte humbur më të dashurit e saj. E kam bashkëdjerë dhimbjen e saj, dhe mënyra se si më është ofruar më ka bërë që të ndihem rehat dhe kam pranuar këtë rol”, ka thënë Sahiti, e cila iu përvesh këtij roli në moshën 63 vjeçare.
Me dilema shumë të mëdha se nëse do t’ia dal me këtë rol kaq të madh e kaq të ndjeshëm, Fatmire Sahiti kishte besuar në fjalët e regjisores, se ajo do tia dal, pavarësisht faktit se pothuajse në çdo skenë ishte me aktorët e njohur Adriana Matoshi dhe Astrit Kabashi.
“Në këtë film luanin aktorët më të kërkuar të Kosovës, sikurse janë Adriana Matoshi e Astrit Kabashi, por Antoneta Kastrati , pos që ka insistuar më ka thënë edhe se beson shumë në mua, atëherë kam pranuar që të luaj në këtë film”, ka thënë Sahiti.
Sahiti tregon se përgjatë xhirimeve ka pas shumë sfida, pasi që ka pas skena shumë të rënda, duke pas parasysh edhe kohën e dimrit dhe të ftohtit e madh kur janë realizuar xhirimet, por sipas saj, po këto xhirime janë një ndër periudhat më të bukura të jetës së saj.
“Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme, përveç që jam lodhë, edhe e kam shijuar shumë atë periudhë. Edhe Adriana më ka ndihmuar shumë që të jem e natyrshme, sa që shumë herë e kam harruar praninë e kamerave, sepse e kam pas ndjesinë se po bashkëbisedoj me Adrianën si në ditë të rëndomta”, ka thënë Sahiti.
Duke kujtuar atë kohë të xhirimeve, ajo në të njëjtën kohë shprehet e kënaqur që ky film tash është propozuar nga Kosova për çmimin Oscar. Duke iu gëzuar rrugëtimit të mundshëm të filmit nëpër prezantime të ndryshme, ajo ka treguar se nëse produksioni vendosë që ajo të jetë pjesë edhe e udhëtimeve, duke përfshirë si rast të mundshëm edhe çmimet Oscar, ajo ka thënë se është e gatshme ta përcjellë këtë film, aty ku edhe i ofrohet mundësia.
Filmi “Zana” është duke u shfaqur edhe në Cineplexx, dhe ky film është parë edhe nga shumë kolegë të Fatmires, e cila nga një zyrtare e MKRS-së, tashmë është shndërruar në një fytyrë të njohur të ekranit.
Disa shfaqje, filmi “Anestezioni” dhe filmi “Zana”, tashmë janë në bagazhin e saj, por ajo nuk e ka menduar se si do të veprojë nëse edhe filmi “Zana”, do ti sjell një rol tjetër të mundshëm.
“Unë çdo punë që e pranoj e realizoj me përkushtim, por se si do të veproj për një rol të mundshëm, thjeshtë nuk e kam menduar”, ka thënë Sahiti, e cila nuk dëshiron të reflektojë për periudhën e rinisë, atëherë kur ishte ngjitur në dërrasat e teatrit të Ferizajt, se nëse ka gabuar apo jo që nuk e ka vazhduar këtë profesion.
“Ishin kohë të vështira atëherë kur e provova teatrin, sidomos për vajzat dhe gratë, tash është shumë më ndryshe”, ka përfunduar Sahiti, duke thënë se pikërisht angazhimi i saj në teatër, në rininë e hershme, ka ndikuar që të jetë ndjekëse e madhe e shumë ngjarjeve kulturore./KultPlus.com