29 Shtator, 2022 - 12:36 pm
Jeta Zymberi
Një seri imazhesh të treguara njëra pas tjetrës të jepnin iluzionin e një lëvizje të pandërprerë tek syri dhe të merrte aq afër vetës, saqë kishe ndjesinë që edhe ti je pjesë e filmit, apo fotografia që shfaqej në ekranin e madh dukej që ishte pjesë e hapësirës ku t’i ishe ulur dhe krejt lehtësisht mund të zgjatje dorën e të prekësh atë.
Kjo ishte ndjesia e parë që të jepte “Vera andrron detin”, film me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës, i cili pas premierës kombëtare në PriFilm Fest, dje u shfaq në Cineplexx për gazetarët, ndërsa nga sot do të fillojë të shfaqet edhe nëpër kinematë tjera në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, përcjell KultPlus.
Pasi në sallë gazetarët kishin zënë vendin e tyre, pa humbur kohë, “Vera andrron detin” u shfaq në ekran. Pamja e parë që na përplaset për fytyre ishin valët e detit dhe tingulli që krijohet nga kjo lëvizje që për shumë kënd është pamja më e bukur dhe tingulli më i këndshëm. Kështu konsiderohej të ishte edhe për personazhin kryesorë, Verën (Teuta Ajdini-Jegeni) por në fakt deti kthehet në një ankth që tregohet përmes mjeshtërisë së fotografisë, nga lëvizja e trembur e shputave të këmbëve që ja nxjerrin gjumin Verës sa herë e ëndërron detin.
E zhytur në një atmosferë të tensionuar, Vera është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë të pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme.
Gjuha e shenjave është pasuria e vetme që nëna e saj ja kishte lënë trashëgimi dhe Vera ndihet me fat që e trashëgoi pasi që falë saj ajo arriti të gjejë punë si përkthyese e gjuhës së shenjave të cilën në film e praktikon pa marr vëmendje por thjeshtë një punë e përditshme që është pjesë e jetës së Verës por që thellë ndërlidhet shumë edhe me karakterin e saj.
Një grua e shkolluar që jetën e bën në një banesë bashkë me burrin e saj, gjykatësin e njohur, Fatmir Gashin (Xhevat Qorraj) e ku shpesh për vizitë ju vjen vajza e vetme e tyre Sara (Alketa Sylaj) bashkë me mbesën e tyre Hanën (Arona Zyberi), vajzën e këndshme që duket sikur është lezeti i vetëm në atë shtëpi.
Biseda e fundit mes Verës dhe Fatmirit ishte rreth shtëpisë që e kishin në fshat e ku pritej të kalonte autostrada. Vera e lumtur që shtëpia kishte një kandidat, shprehet që me ato para t’i blejnë Sarës një banesë dhe me pjesën tjetër të shkojnë në det në Fatmirin, i cili pas këtyre fjalëve nuk bëri asnjë reagim të vetëm, e kjo menjëherë të jepte ndjesinë se diçka e mirë nuk pritej të ndodhte. Por kjo mbeti vetëm një ëndërr e Verës pasi vetëm pas pak çasteve, përmes gishtave të gjakosur që dalin jashtë derën se banjës në banesën e çiftit, tregohet se Fatmiri tashmë ka bërë vetëvrasje e kështu nga ai moment ka ndryshuar përgjithmonë rrjedhën e jetës së familjes.
Vetëvrasja e Fatmirit qysh në fillim vjen në rrethana të pakuptueshme bashkë me fshehjen e këtij akti që ndodhë në bashkëpunim mes Verës dhe Basriut (Refet Abazi), avokatit të familjes si dhe mikut të ngushtë të Fatmirit.
E vetme, Vera tashmë duhet të përballet me patriarkatin. Një prej familjarëve të familjes, Ahmeti (Astrit Kabashi), kërkon që shtëpia të vihet në emër të tij sepse sipas tij dhe burrave të fshatit, Fatmiri ja kishte lënë shtëpinë atij dhe tashmë duhej vetëm nënshkrimi i Verës.
Duke mos pasur një tjetër fakt, përveç fjalës së burrave të fshatit, Vera gjendet në një udhëkryq ku cigarja dhe heshtja janë shoqëruesit e saj të vetëm, deri sa nisin ta shoqërojnë edhe me makina e telefonata të çuditshme duke dashur ta frikësojnë. Këto kërcënime e shantazhe shkojnë deri në atë pikë, saqë tentojnë ta vrasin Sarën, vajzën e vetme të Verës, duke e goditur me makinë. Për fat të mirë Sara i shpëton kësaj tentative dhe këtu ndodhë kthesa tjetër, ku Vera merr rrugën për në fshat e ku pa bërë zë, nënshkruan atë copë letër që desh i mori vajzën.
Bota e krimit që ju kanos Verës, erdhi si rezultat i lojës së bixhozit që Fatmiri kishte bërë gjatë jetës. Përkundër që Vera ishte në dijeni për këtë fakt, një video ja sjell para syve disa pamje që sigurisht nuk do të donte t’i shihte asnjëherë, por që i vijnë në ndihmë për të zbuluar gjithë zinxhirin e krimit që nis nga avokati, personi që Vera i besoi qysh në fillim, e deri te ndërtuesit e autostradave.
Përkundër rezistencës së saj që pasuria t’i takojë vajzës, gjithçka shkoi huq dhe njëkohësisht na vë para faktit se kjo dukuri vazhdon edhe sot në shoqëri dhe gratë vazhdojnë të jenë të shtypura dhe të mos kenë të drejtë mbi pronën.
Vera, një grua që përkundër e shkolluar dhe një karakter i fortë që lufton në heshtje me patriarkatin, e shpalos një tjetër anë të kësaj dukurie, që fjala e burrit është më e fuqishme dhe as shkollimi e karakteri i fortë nuk arrijnë të dalin mbi një shoqëri që vazhdon ta trajtojë gruan si një qenie që nuk ka të drejta të barabarta.
Krejt ky rrëfim vjen në një harmoni unike ndërmjet formës dhe përmbajtjes. Këndi i kamerës është jetik në këtë tregim dhe të ndihmon për ta çuar historinë përpara dhe të kuptojmë marrëdhëniet midis personazheve dhe marrëdhëniet e personazhit me mjedisin e tyre.
Imazhet e filmit shpesh të merrnin aq shumë vëmendjes saqë krejt lehtësisht shmangnin shpërqendrimin e shikuesit nga linja e historisë.
Krijuesja e filmit, Kaltrina Krasniqi, ndër të tjera shpalos edhe pjesë të fuqishme të saj, prerjen dhe bashkimin e pamjeve, duke i dhënë edhe më shumë forcë historisë dhe duke i dhënë efektin e dëshiruar te shikuesit.
Me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, filmi arrin të na formësojë kuptimin dhe emocionin e personazhit përmes imazheve dhe këndit të fotografisë.
Detajet, pamjet nga afër, gishtat e dorës, apo këmbës, pozicionin nga prapa apo fytyra krejt afër kamerës përdorën për të sjell në detaje emocionet e personazhit. Kjo ndërlidhje duket të jetë një prej elementeve më të fuqishme të filmit i cili përkundër që nuk ka shumë ngjyra, në aspektin e zhvillimeve ato nuk mungojnë.
“Vera andrron detin”, i cili premierën botërore e pati në ‘Festivalin e Venedikut’ në vitin 2021, dje në Cineplexx solli para gazetarëve regjisoren Krasniqi, skenaristen Basha, aktoren Alketa Sylaj dhe drejtoreshën e fotografisë, Sevdije Kastrati, të cilat në një konferencë iu përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.
E para që mori fjalën ishte skenaristja, Doruntina Basha e cila foli për detajet e rafinuara të të shprehurit duke thënë se pas aspektit vizual, është gjuha një prej aspekteve më të rëndësishme të filmit, sepse e komunikon të gjithë nivelin tematik e ideor të filmit, e në këtë rast ajo përmban gjithë rrafshin fiksional të filmit.
“Skenari ka filluar të shkruhet diku rreth vitit 2014 dhe ka filluar krejt spontanisht si një ide, si një shtytje për të shkruar një film për Verën, një grua rreth moshës 65-vjeçare e cila e ka një profil profesional shumë specifik, është interpretuese e gjuhës së shenjave dhe ideja ka qenë me e pa se kush është një grua e tillë në një ambient patriarkal dhe konservativ si shoqëria kosovare dhe prej aty ka lindur tregimi”, shprehet Basha duke dhënë detaje për zanafillën e filmit, nga e cila më pas edhe janë zhvilluar edhe të gjitha idetë e tjera rreth ‘Vera andrron detin”.
Ndërkaq regjisorja Krasniqi, foli për premierën që filmi pati në ‘Festivalin e Venedikut’ ku ishte edhe fitues i dyfishtë, duke e cilësuar si një hap tejet të rëndësishëm dhe që i hapi një derë shumë të madhe nga e cila u hapën edhe shumë dyer të tjera të mëdha më pas.
“Gjatë premierave kemi pasë mundësinë me u taku edhe me audienca të ndryshme të vendeve të ndryshme dhe në princip, patriarkati nuk është specifik për Kosovë, nuk jeton patriarkati veç në Kosovë edhe në Ballkan, shoqëritë globalisht janë patriarkale mirëpo i kanë kulturat e veta dhe specifikat e veta kulturore edhe ato e bëjnë ndoshta pak më të veçantë mënyrën se si kulturat zakonisht flasin për patriarkatin”, thotë Krasniqi duke bërë thirrje që të mos limitohet patriarkati në gjeografi specifike sepse askush sipas saj nuk guxon ta ketë atë legjitimitet.
Po ashtu, ajo thotë se në shikim të parë, Vera dhe historia e saj nuk tregojnë që vijnë nga një vend specifik në Ballkan, sepse gratë sidomos ato të gjeneratave më të vjetra, historikisht janë ballafaquar me situata të ngjashme.
Ndërkaq, Krasniqi foli edhe për shfaqjen e filmit në rajon duke u shprehur e lumtur që më në fund ky projekt do të shfaqet në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.
“Nuk e di si do të kalojë nëpër kinema për shkak se kinematografia jonë është e re dhe me secilin film ne mësojmë se çka po shikon audienca dhe çka po i intereson, kështu që do të jetë një test shumë interesant ta shohim në këtë aspekt”, u shpreh mes tjerash regjisorja.
Krasniqi nuk la pa e përmendur edhe gjuhën e shenjave, të cilën Vera e ka të trashëguar dhe e interpreton tejet natyrshëm, por që regjisorja thotë se ka qenë sfidë për të ta paraqesë këtë veti vetëm si një punë që Vera e bën dhe jo si elementi kryesor i saj si njeri.
“Është e rëndësishme se si një person që gjithë jetën e ka kaluar duke interpretuar jetën e dikujt që nuk ka zë, përfundon si dikush që ka zë dhe nuk e përdorë atë gjuhë për ta bërë një zgjidhje shumë të madhe dhe në fakt edhe për t’i kaluar pritshmëritë edhe ndaj vetes”, shtoi si përfundim regjisorja e filmit.
Përveç Verës, rol tjetër në këtë film është edhe ai i Sarës, vajzës së Verës, e cila interpretohet nga aktorja Alketa Sylaj. Ky film, sipas Sylajt ka bërë që ajo ta jetojë një prej ëndrrave që secili aktor ka, ta luajë rolin e aktores edhe në film.
E krahas kësaj ajo flet edhe për veçantitë e rolit të Sarës, rol ky i cili e bëri të reflektojë edhe në jetës e saj reale, marrëdhëniet me nënën dhe limitet që ajo i ka vënë vetes dhe njerëzit në përgjithësi.
“Sara ka nevoja të tjera, ka një lidhje me nënën e saj që e bën shumë interesant filmin edhe ajo marrëdhënie ka ndikuar edhe në jetën time, me e pa marrëdhënien me nënën time edhe raportin e Sarës me Verën, është shumë interesant me pa që shpesh harrojmë çka kanë kalu prindërit tanë edhe pse është një periudhë e shkurtër dhe është interesant me e pa atë raport nga i cili mëson shumë ma shumë për veten dhe për limitet që ti ja ke kriju vetes edhe pa vetëdije”, shprehet aktorja.
Ndërkaq, drejtoresha e fotografisë, Sevdije Kastrati, rrëfen sfidat dhe vështirësitë e realizimit të filmit dhe portretizimit të Verës dhe historisë së saj, e të cilën thotë se i përket një çështje me të cilën njerëzit në Kosovë janë rritur.
“Kemi punuar shumë me Kaltrinën për të paraqitur vizualisht këtë botë dhe kemi diskutuar shumë se si me e paraqit botën e brendshme të Verës, si e shohim ne Verën, çka është Vera, kush është Vera. Janë shumë shtresa të ndryshme që është vështirë me u shprehë me fjalë mirëpo i kemi shprehur në film”, deklaroi Krasniqi e cila më tutje tha se ky film nuk ka shumë ngjyra, ngjyrat janë të ngurta mirëpo shfaqja ka shumë ngjyra sepse ka shumë dinamikë përmes të cilës paraqitet gjendja e brendshme e Verës.
Kujtojmë që ‘Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri.
Në film luajnë: Teuta Ajdini-Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, Ernest Malazogu, Selman Jusufi, Armend Baloku, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi./ KultPlus.com