Nicholas Brendon në Prishtinë, pjesë e filmit “Sunrise” që flet për pasojat e luftës në Kosovë

12 Nëntor, 2018 - 6:54 pm

Gili Hoxhaj

Aktori i njohur amerikan Nicholas Brendon ka arritur në Kosovë për të qenë pjesë e projektit filmik “Sunrise” me skenar të Alban Makollit e regji të Krenar Belegut, kurse producent i filmit është Shkumbin Sopjani, shkruan KultPlus.

Sot në një konferencë për media ku ishte i pranishëm edhe aktori i njohur Nicholas Brendon, u shpalosën detaje për këtë film i cili do të shfaqet në formë të serialit. Skenaristi i filmit Alban Makolli u shpreh se ky film flet për luftën e Kosovës e veçmas për pasluftën dhe pasojat e luftës. Ai tregoi se e gjithë ngjarja shtjellon historinë e një familje që ndahet në luftë e përballet me pasojat e pasluftës, ndërsa personazhi kyç është djali i asaj familje, i cili rritet në Beograd dhe kthehet në Kosovë si shërbyes i UDB-së, e pa ditur për fatin e tij.

““Sunrise” flet për luftën në Kosovë dhe për një familje që e ndanë lufta, ku nënën dhe djalin e marrin forcat serbe për t’i pushkatuar ku në pushkatim e sipër djalin nuk e godasin plumbat, ai shpëton, merret prej gjeneralëve serb, rritet në Beograd si një serb i vërtetë. Djali rritet dhe tash në vitin 2018, ai i ka 25-26 vjet dhe është bërë një nga agjentët kryesor në UDB (Shërbimi sekret serb). Ai vjen në Kosovë pa e ditur që është shqiptar, pra vjen në Kosovë për të zbatuar urdhra të këqija, me bomba dhe autobomba. Ai është djalë i një hetuesi kosovarë që luhet nga Shkumbin Sopjani i cili përmes formave paranormale i del gjithnjë përpara gruaja dhe djali, përmes fiksioneve paranormale dhe e ndjenë se diçka është duke ndodhur me djalin e tij dhe këto forca paranormale e shpëtojnë djalin pa u vrarë prej babait të tij”, u shpreh Makolli në konferencën e mbajtur për media sot.

Aktori i njohur amerikan Nicholas Brendon që vjen në Kosovë për herë të parë për të realizuar këtë film, ndërsa tha se që nga ardhja këtu ka ndjerë pikëllim dhe shpresë në të njëjtën kohë. Ai do të kthehet në Kosovë për të realizuar edhe pjesën e dytë të filmit, ndërsa theksoi se nuk e ka ndërmend të zhytet në rol pasi që do ta ruaj mirëqenien e tij.

“Është këndshëm, njerëzit janë të mirë. E pata një ndjenjë pikëllimi kur erdha por edhe shprese në të njëjtën kohë. Është mirë të jesh në një shtet të tillë. E dua Amerikën, por nuk jam fans i presidentit tonë të tanishëm dhe krejt çka po ndodh. Por është mirë të jesh në një shtet që e do Amerikën më shumë sesa vet amerikanët. Nuk jam mësuar me këtë. Kam pesë javë që udhëtojë nëpër Evropë ku flas shumë për depresionin. Dikush më tha, nëse shkon në Itali për shembull, thuaj se je kanadez. Ka shumë urrejtje për amerikanët tani dhe e kuptoj përse”, tregoi Brendon për përshtypjet e tij të para në Kosovë, pas udhëtimit disa javorë në Evropë.

Duke qenë se filmi shtjellon rrethanat e luftës, njohuritë që Nicholas Brendon ka pasur për luftën në Kosovë, thotë se e kanë ndihmuar shumë në këtë proces.

“Fakti se kam ditur për luftën e ka pasur ndikimin e vet në këtë proces. Nuk do të zhytem thellë në rol sepse kujdesem për mirëqenien time. Është më e lehtë ta bësh këtë kur rol ke një agjent të CIA-s. Me vetë CIA-n disi kur e portretizon është një lloj sekreti, që nuk do të ketë nevojë të futem thellë në rol. Në këtë formë është me e lehtë për mua. Por vetëm të qenurit këtu për mua është mjaftueshëm”, u shpreh Brendon.

Producent i filmit, Shkumbin Sopjani tregoi se filmi bazohet në ngjarje të vërtetë dhe personazhet janë ende gjallë por emrat e tyre nuk do të zbulohen. Ai tutje tregoi se si kanë rënë në kontakt me aktorin Brendon.

“Kemi rënë në kontakt me menaxherin e tij dhe më pas kemi pasur një takim. Thënë të drejtën jam shumë i lumtur dhe krenar që një film i tillë i zhanrit të tillë po realizohet, e që Nicholas është pjesë e tij. E po ashtu edhe që po prodhohet tek ne pasi që regjisori e skenaristi janë shqiptarë. Besoj se kjo është një lloj krenarie që ky vjen për herë të parë me aq sa kam informacione”, u shpreh Sopjani.

Regjisori filmit Krenar Belegu tha se përmes ëndrrës se personazhit kryesor është përpjekur ta paraqes luftës, ndërsa tregoi se një pjesë e madhe është xhiruar në Suharekë.

“Skenari e ka dhënë një anë të luftës që tregohet përmes ëndrrës së personazhit kryesor. Unë e kam gjetur një formë që e shohim krejt luftën, por e rëndësishme është se krejt çka shohim në film, e shohim përmes ëndrrës së personazhit kryesor”, tha Belegu.

Përveç Nicholas Brendon, në këtë film do të luajnë edhe aktorët nga Kosova si: Xhevdet Doda, Vlora Nikçi, Xhavit Tafolli, Shkumbin Sopjani, Alban Makolli etj. Po ashtu në këtë film do të luajnë edhe aktorë serb, emrat e të cilëve nuk janë ende publik.

Makolli tutje tregoi se filmi do të jetë në tri gjuhë, gjuhën shqipe, angleze dhe serbe, do të ketë edhe aktorë serb që do të luajnë agjentët e UDB-së. Ai tutje tha se ky film ka tendencë të paraqitet si antiserb por tenton vetëm ta tregojë të vërtetën që ka ndodhur. Ai tutje tregoi se filmi do të xhirohet në Kosovë, Shqipëri, Ukrainë dhe në Bosnjë.

“Ka qenë shumë e vështirë me gjet dikë që e pranon këtë, sepse filmi nuk është anitserb por është prokosovar dhe çfarë është prokosovare është antiserbe dhe menjëherë bëhesh i tillë edhe pa qenë. Nuk është se ne kemi ndonjë tendencë për të qenë antiserb por vetëm duam ta tregojmë të vërtetën edhe në gjuhën angleze. Nicholasi tregoi se ka qenë paksa i familjarizuar me ngjarjet tona dhe kur vjen e lexon një skenar, thotë se “a është vërtetë” sepse nuk mund ta besoj që kjo ka ndodhur dhe kjo është tendenca jonë t’i tregojmë botës se çfarë ka ndodhur”, u shpreh skenaristi dhe aktori i filmit Alban Makolli.

Aktorja Vlora Nikçi në këtë film paraqitet në një nga rolet kryesore, në atë të Elizës, ndërsa tha se është e vështirë dhe përgjegjësi të luash ngjarje të vërteta, veçmas kur personazhi që e luan, është akoma gjallë. Ajo theksoi se të përfaqësojë personazhe të popullit të saj, është gjëja më e bukur që i ka ndodhur në karrierë.

“Unë kam një ndër rolet kryesore, që është roli i Elizës dhe siç e di edhe nga skenaristi Eliza jeton diku dhe ka mbi supe këtë ngjarje të luftës në Kosovë. Është e vështirë të luash ngjarjet e vërteta, sidomos kur janë njerëzit gjallë sepse është e vështirë ta interpretosh dhimbjen e dikujt që vjen dhe të sheh. Ne kemi ngjarje plot që kanë ndodhur në botë por kur luan ngjarje të popullit tënd ndryshe e përjeton kështu që është histori e luftës, ku Eliza i humb të gjithë njerëzit e dashur dhe e fillon jetën. Prej këtij filmi ne mund të shohim se si mundet një njeri me i mbijetu dhimbjes në Kosovën e lirë”, u shpreh Nikçi.

Producent i filmit tregoi se po tentojnë që filmin ta përfundoj deri në muajin qershor

Ky film është mbështetur nga Zyra e Presidentit, MKRS, Komuna e Prishtinës, Komuna e Suharekës, etj. / KultPlus.com

Të ngjajshme