22 Janar, 2018 - 9:53 am
Aktorja Nicole Kidman, 50 vjeçare, mbajti një fjalim emocional për epokën e Hollywoodit, në SAG Awards, ku edhe mori çmimin si aktorja femër më e mirë në filmin Big Little Lies.
Kidman ndër të tjera theksoi se industria më e madhe e filmit në botë, më në fund tregoi se gratë mbi të 40-at janë shumë të fuqishme.
“Reese Witherspoon, Laura Dern, ju të dashurat e mia të para dhe më të rëndësishmet në jetën time. Shoqet e mia të para dhe të talentuara, këtë çmim sot po e ndaj me ju”, tha Kidman duke iu drejtuar yjeve tjera të Big Little Lies, e më pas përfshiu edhe aktoret tjera që janë mbi 40 vjeçe, Susan Sarandon, Jessica Lange dhe Meryl Streep, transmeton Koha.net.
“Ju falënderoj të gjithave për shfaqjet tuaja që keni dhënë gjatë karrierës tuaj dhe sa të mrekullueshme vazhdoni të mbesni edhe pse jeni përtej të 40-ve”, vazhdoi tutje Kidman me lot në sy.
“20 vjet më parë, ne ishim goxha në formë në fazat tona të para në Hollywood. Kemi dëshmuar, ndërsa ju po dëshmoni edhe më tepër se sa të fuqishme jeni dhe të qëndrueshme t’ia dilni mbanë edhe tani”, tha ajo.
“Unë vetëm do të lutem që kjo industri të mbetet pas nesh, sepse tregimet tona më në fund u thanë. Jam krenare që jam pjesë e një komuniteti që po nxit ndryshim, por i përgëzoj regjisorët, drejtorët, studiot e ndryshme e financierët që vënë pasion në historitë tona. Kemi dëshmuar se ne mund ta bëjmë këtë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me mbështetjen e të gjithëve”, ka përfunduar Kidman.
Ndërkohë kujtojmë se ajo tani është duke xhiruar sekuenca për filmin e radhës nga regjisori Karyn Kusama “Destroyer”./ KultPlus.com