Nikolin Xhoja, mjeshtri i roleve komike

24 Janar, 2021 - 1:56 pm

Artisti i Popullit, Nikolin Xhoja, i konsideruar nga kritikët e teatrit si një individualitet i spikatur artistik, veçanërisht në realizimin e roleve komike, edhe 26 vjet pas vdekjes, vazhdon të jetë një nga figurat më të dashura për publikun durrsak dhe atë shqiptar në përgjithësi.

Sipas kritikëve të teatrit, ai ishte një aktor me diapazon të gjerë, nga rolet komike te ata thellësisht dramatike. Në “Historinë e teatrit shqiptar”, shkruhet se Xhoja, di të zgjedhë materialin dhe mjetet më të përshtatshme shprehëse, jo vetëm për të plazmuar personazhin, por edhe për të mbajtur një qëndrim të caktuar emocional ndaj tij.

Prof. Josif Papagjoni, kritik i njohur i teatrit, vlerëson se “Nikolin Xhoja është një ndër emrat më të mëdhenj të aktrimit shqiptar, një gur i rëndë dhe i pazëvendesueshëm themeli në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, emblemë e emrit dhe historisë së tij. Ishte aktor me një nur komik, tejet i natyrshëm e organik në interpretimin aktorial, tejet spontan, i atypëratyshëm dhe shpesh, improvizues”.

Ndërsa aktorët e teatrit “Aleksandër Moisiu”, e kujtojnë Nikolinin me shumë respekt. “Kam qenë përkrah tij në dhjetera spektakle, por kujtoj gjithnjë aktin e parë kur ai interpretoi Podgolisenin tek “Martesa e Gogolit”, tregon Artisti i Merituar, Lutfi Hoxha. Edhe pse ishim paraqitur disa qindra herë para publikut, ai kishte njëlloj emocione, e megjithatë, po aq mjeshtërisht, ai i përballonte ato duke sjellë në skenë kryerole”, rrëfen me tej artisti Hoxha.

“Publiku e adhuronte Nikolin Xhojen për talentin dhe përkushtimin e pamate. Nëpërmjet tij, publiku vilte nga skena harenë, gëzimin, gjithçka jep magjia e teatrit dhe në të njejten kohë, e shpërblente artistin me duartrokitje te pandërprera, me dashuri dhe miratim të plotë”, shprehet një nga kolegët e tij, Artisti i Merituar Vangjel Heba.

Roli i xha Beqos tek filmi “Kapedani”, është një nga dëshmitë e potencialit artistik të Nikolin Xhojës, e po ashtu edhe dy filmat e tjerë “Cifti i lumtur” dhe “Horizonte të hapura”, në të cilat ndjehet përvoja e madhe aktoriale dhe jetësore. Në tre dekada veprimtari artistike, ai krijoi 55 role në teatër, 11 premiera varieteje dhe 3 role në kinematografi.

Bashkëqytetaret e tij e kujtojnë gjithnjë Nikolinin mes shokësh dhe miqsh, me një humor thuajse disident, duke vërtetuar atë që buronte nga mbiemri i tij, që në gjuhën italiane do të thotë “gëzim”.

Për Artistin e Popullit Gjergj Vlashi, Nikolin Xhoja ishte padyshim aktori më i mirë i teatrit gjysmëshekullor të Durrësit dhe një ndër korifenjtë e skenës shqiptare, sidomos në gjininë e komedisë. “Ai nuk pati shkollë, por qe mësues i shumë breza aktorësh, nuk bëri pjesë në asnjë shkollë, por krijoi një shkollë të tijën të interpretimit skenik”, shprehet Vlashi.

Dhe vërtetë e nisi rrugën e përpjetë të skenës shumë i ri, duke interpretuar rreth zjarrit partizan. /urbannews/ KultPlus.com

Të ngjajshme