25 Shtator, 2022 - 10:30 am
Edicioni jubilar i “Tirana International Film Festival”, nisi mbrëmjen e sotme në Kinema Millennium. TIFF priti miqtë e ftuar, me tapetin e kuq, mbi të cilin kaluan kineastë, personalitete të artit, kulturës dhe politikës.
Në skenën e edicionit të 20-të të festivalit ndërkombëtar (TIFF), moderoi ceremoninë hapëse, prezantuesja e njohur, Rudina Magjistari. Drejtori dhe themeluesi i Festivalit, Agron Domi, ka mbajtur fjalën e mirëseardhjes, e njëkohësisht në skenë është ngjitur edhe zëvendësambasadori italian, duke qenë se ambasada italiane në Tiranë, është një nga mbështetësit kryesorë të këtij eventi.
Të pranishmit janë argëtuar me interpretimet e një grupi artistësh të njohur të humorit, të cilët kanë imituar ikona të kinematografisë botërore, nga vëllezërit Blues, Al Pacino e Marilyn Monroe, e deri te Monica Bellucci.
Më pas mbrëmja vijoi me shfaqjen e dokumentarit për legjendën e muzikës, të madhin Ennio Morricone. Filmi prej 156 minutash, me regji të Giuseppe Tornatore-s, pati premierë kombëtare, në Kinema Millennium.
Megjithëse ceremonia e hapjes së TIFF nisi rreth orës 18:00, po sot, në “Millennium” pati projeksione filmash të metrazhit të shkurtër, të gjithë premiera kombëtare./atsh/ KultPlus.com