30 Gusht, 2017 - 10:00 am
Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air” po zhvillon edicionin e katërt në Sarandë. Ceremonia e hapjes së festivalit u zhvillua në Kinema Limani në bregdetin e Jonit, në Sarandë. Këtë vit në festival janë në konkurrim rreth 50 filma.
Kinemaja shqiptare përfaqësohet me një film të metrazhit të gjatë dhe 6 të shkurtër, 2 nga Shqipëria dhe 4 filma nga Kosova. Këtë vit miqve të kinemasë do t’u shtohet edhe një tjetër hapësirë, që do të ketë një seksion të veçantë, kryesisht “Best off”. Në rubrikën ‘in memoriam’ do të përkujtohet 80-vjetori i lindjes së regjisorit Viktor Gjika si edhe aktori i madh Bujar Lako.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Suzane Schutz, kineastë shqiptarë dhe të huaj, kritikë dhe gazetarë. Drejtori i “Dea Open Air”, Edmond Topi vuri në dukje, se motivimin për realizimin e këtij eventi e ka mbajtur gjallë që në fillim bindja, se kultura mund të ndryshojë shoqëritë.
“Ngjarjet kulturore si ky festival mundësojnë dialogun mes kulturave, mes mënyrave të ndryshme të kuptimit të botës. Në një kohë me kaq shumë dhunë dhe arbitraritet, kultura është pothuajse e vetmja paqe dhe rrugëdalje dhe kontribuesit e shquar të saj të vetmit udhëheqës shpirtërorë. Po që kjo të funksionojë, duhet fituar lufta për audiencat”, pohon mes të tjerave drejtori Topi.
Për drejtoren artistike të festivalit Mirela Oktrova, kinemaja nuk është luks, kinemaja është e drejtë themelore. “Një brez, që në harkun e 27 vjetëve, jeton pa të, nuk e ndjen më të nevojshme atë as ta shohë, as ta mësojë, as ta ushtrojë dhe aq më pak të mësojë prej saj. Ai brez nuk e kupton nevojën për t’u shprehur me filma, për të konsumuar filma, për të diskutuar filma, për t’u identifikuar me filmat. Vetëm nëse bëhemi të ndërgjegjshëm për këtë, do ta kuptojmë, se sa e rëndësishme është të edukosh kinema” tha për festivalin Oktrova.
Festivali u çel më datë 27 gusht dhe do të vijojë deri më datë 2 shtator. Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka e vlerësoi festivalin si një event, që premton t’i bëjë më të vlefshme mbrëmjet, duke shoqëruar me magjinë e artit të shtatë. Filmat e këtij viti vijnë jo vetëm nga vendet europiane, por edhe më gjerë.
Tre juri në festival
Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air” nisi me konkurrimin në gjininë e filmit me metrazh të gjatë. Filmi Hannat (Die Hannas – Gjermani 2016) vendos në fokus të vëmendjes së tij një çift: Ana dhe Hans, të cilët janë një dhe të pandarë. Aq e vërtetë është kjo, saqë të gjithë miqtë e tyre i quajnë thjesht Hannas. Ata janë një çift i kolauduar në të tridhjetat e tyre të përgjumura, që i bashkon me njëri-tjetrin obsesioni i gatimit. Derisa një ditë, ata takohen me motrat Adhid, Kim dhe Nicola. Nga ky çast, në fshehtësi, secili prej Hannave-ve fillon të planifikojë dhe nxisë aventura të nxehta dashurie me motrat.
Po në fund të fundit përfundojnë të shtrydhur emocionalisht kur konstatojnë se motrat Kim dhe Nicola janë të lidhura me diçka për të cilën Hanna-ve nuk u kishte shkuar në mend. “Hannas” është një rrëfim rreth trupave tridhjetëvjeçarë, ushqimit dhe dashurisë. Në të njëjtën kohë në kinemanë e improvizuar verore, në resortin turistik Bougainville startoi programi “Miqtë e kinemasë”. Sipas traditës edhe në këtë edicion konkurrimi do të ndiqet nga disa juri, të përbëra me personalitete të njohura të kulturës, kinemasë dhe medias në rajon dhe më gjerë. Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga: Veton Surroi (shkrimtar dhe publicist – Kosovë), Dr. Cathy de Haan (studiuese e filmit dhe komunikimit – Gjermani), Mevlan Shanaj (regjisor – Shqipëri), Diana Dobreva (aktore dhe regjisore – Bullgari), Agron Vula (regjisor dhe producent – Kosovë) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të gjatë si edhe do të akordojë çmimet DEA për: Aktorin/Aktoren më të mirë në rol kryesor ; Fotografinë/Kameran më të mirë; Skenarin më të mirë, Regjinë më të mirë dhe Filmin më të mirë në konkurrimin e filmit të gjatë. Kjo juri ndan çdo vit edhe Çmimin Special të destinuar për kontribute të spikatura të artistësh të rinj me karrierë premtuese në kinematografi. Në festival janë dhe juria e filmit të shkurtër, e përbërë nga Natasha Lako (poete dhe skenariste); Ema Andrea (aktore) dhe Sokol Krasniqi (grafist) dhe juria e medias, e përbërë nga: Astrit Idrizi (regjisor dhe producent), Violeta Murati dhe Shpresa Dine gazetare. (Shkruan Julia Vrapi. SN.com)/ KultPlus.com