Nis restaurimi i Korpusit Qendror të ish-Kinostudios, godina do t’i kalojë QKK-së

11 Prill, 2024 - 11:40 am

Korpusi Qendror i Ansamblit që përbën ish-Kinostudion, ka nisur restaurimin. Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, e cilësoi këtë projekt si mjaft i rëndësishëm për përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës së një prej institucioneve më të rëndësishme kulturore, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zhvilluar nga UNOPS, si pjesë e programit MEKI-EU4Culture.

Ndërhyrja parashikon restaurimin e fasadës dhe interiorit, duke ruajtur muraturën ekzistuese dhe duke riparuar dëmtimet, meremetimin e suvasë dhe restaurimin e elementëve dekorativ, instalimet elektrike, riorganizimin dhe përmirësimin e tualeteve dhe sistemeve të kanalizimit, sistem ndriçimi të jashtëm të fasadës me ndriçues projektor dhe linear.

Me largimin e administratës së ish-Ministrisë së Kulturës, që do të vendoset në qendër, tek Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, godina do t’i kalojë QKK-së e cila po riorganizohet dhe shumë shpejt do të fillojë mbështetjen e krijimtarisë kinematografike dhe audiovizuale me qëllim përforcimin e sistemit dhe përafrimin me praktikat më të mira evropiane të këtij sektori specifik e tepër të rëndësishëm për kulturën dhe ekonominë e vendit.

Do të mirësistemohen edhe IKTK e IKRTK, në kuadrin e rishikimit të projektit të njohur si Parku i Arteve, që do të zgjerohet me rikonceptimin e godinave të tjera dhe infrastrukturën funksionale, oborret dhe sistemet e sigurisë e të monitorimit./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme