5 Tetor, 2017 - 6:10 pm
Filmi “Çmimi i dashurisë” ka hapur Javën e kinematografisë greke në Korçë.
Sipas konsullit grek në Korçë Georgios Alamanos, qëllimi i këtij aktiviteti është përcjellja e kulturës greke dhe përfshirja e saj në kulturën e qytetit të Korçës.
“Aktivitetin e quajtëm “Java e kinematografisë greke”. E zhvillon konsulta greke në Korçë. Janë 3 filma që do shfaqen e përmes tyre synojmë të hyjmë në jetën kulturore të qytetit. Korça është një qytet me identitet të theksuar kulturor dhe me njerëz që kanë të kultivuar ndjenjën e së bukures, ndaj dhe filmat që do paraqesim i kemi përzgjedhur me mjaft kujdes”, thotë zoti Alamanos.
Filmi “Çmimi i dashurisë“ është një histori dashurie, tradhtie dhe ndërgjegjësimi i mbështetur në romanin e Kostandin Theothokut “Nderi dhe paraja”. Filmi sjellë portretin e një bote në evolucion të vazhdueshëm shoqëror dhe ekonomik. Interesi i publikut për këtë film ishte i larte, duke mbushur plot sallën e kinemasë. Mbrëmjen e së enjtes dhe më 7 tetor do të shfaqen falas filmat: “ Dinakeri dhe kamuflazh” dhe “Kuzhina e Kostandinopojes” në orët 18:00 dhe 20:00. / KultPlus.com