Nisi Dokufest, do të prezantohen 280 filma

2 Gusht, 2019 - 9:19 pm

Edicioni i tetëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit dokumentar dhe atij artistik, në mbrëmjen e së premtes ka hapur portën për artdashësit, shkruan KultPlus.

Me një hapje ndryshe, pa fjalime as të organizatorëve, por as të politikanëve, Dokufest këtë edicion e nisi me thënie të ndryshme, që kishin përfshirë situatën politike, atë gjinore, duke përfshirë thënie shumë thumbuese që tashmë shoqëria kosovare shumicën prej tyre i ka shumë të njohura, për të vazhduar më pas me prezantim të filmave.

280 filma dhe 16 programe janë përfshirë në programin e këtij edicioni, që do të zhvillojë paralelisht edhe debate, panele, por edhe aktivitete të tjera që janë në kuadër të këtij festivali.

Organizatorët e këtij festivali kanë bërë të ditur se ka me pasë edhe shumë filma që do të jenë premiera, duke potencuar edhe pjesëmarrjen e Petrit Halilajt dhe të shumë artistëve të tjerë.

Ky edicion i DokuFest-it na sjell një mori ngjarjesh për të gjitha moshat. Përveç programit të pasur me filma të cilët do të shfaqen në kinematë tashmë tradicionale të festivalit, ju do të bëheni një me performancat muzikore të cilat gjithashtu tashmë i kanë krijuar skena e veta. Muzikë elektronike, eksperimentale e deri te iso-polifonia do të ju shoqërojnë përgjatë 9 netëve të magjishme që po priten me shumë entuziazëm nga adhuruesit e festivalit më të mirë në vend. Ekspozita, punëtorit e masterklasa të ndryshme do të shpalosen për ju gjatë këtyre ditëve që aq sa po i prisni ju, edhe ato po ju presin juve./KultPlus.com

Të ngjajshme