17 Shtator, 2023 - 6:15 pm
Era Berisha
Një histori e veçantë, prekëse, rrallëherë e trajtuar, fenomenale, inspiruese dhe njëkohësisht e veçantë në llojin e vetë, ka zbritur mbrëmë në skenën e Kino Armatës, aty ku po mbahet edicioni i pesëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’, me rastin e premierës së filmit tashmë të suksesshëm “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” me regji dhe skenar të Gentian Koçit, shkruan KultPlus.
Fiks kur ora shënoi 19:46, nisi edhe premiera e filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”. Dritat u fikën, e së bashku me të edhe shushurimat brenda hapësirës. Bazuar në një ngjarje të vërtetë, filmi ka ardhur si dedikim nga regjisori për babin e tij, ashtu siç u shpalos e shkruar edhe në sekondat e parë kur pamjet e para zunë vend në ekranin gjigand.
Dy vëllezër binjakë identikë e shurdhmemecë që nga lindja, Agimi dhe Gëzimi (Edgar Morais dhe Rafael Morais) zbulojnë se vuajnë nga një sëmundje gjenetike që gjithashtu do t’i bëjë ata të verbër në mënyrë progresive dhe të pakthyeshme. Asnjëherë nuk kanë qenë të ndarë nga njëri-tjetri. Jetojnë e punojnë së bashku në një biznes të përpunimit të drurit. Ata ndajnë një banesë të gjerë në Tiranë së bashku me të dashurën e Gëzimit, Ana që luhet nga aktorja shqiptare Drita Kabashi e cila debutoi pikërisht me këtë film.
Por përveç hapësirës, ata janë të lidhur shpirtërisht me njëri-tjetrin. Komunikojnë me shkrime dhe lexim buzësh, por mes tyre ka evoluar një gjuhë private, e cila ka të bëjë më shumë me shkëmbimin e prekjes dhe shikimit sesa fjalët.
ADN-ja e tyre si binjakë monozigotë është ajo se çfarë kontribuon në film për të ngjallur dhembshurinë më të madhe të parashikuar brenda audiencës. Të dy vëllezërit eventualisht marrin vesh se do të humbasin përgjithmonë dhe plotësisht shikimin si dhe dëgjimin. Në anën tjetër, Ana bëhet pjesë e pandashme e jetës së tyre, për shkak se ajo krejt lehtësisht pranon për të marrë në dorë, marrëdhënien vëllazërore për të dy ata.
Regjisori Gentian Koçi ka bërë një punë të shkëlqyer duke sjellë në vëmendje marrëdhëniet komplekse të njerëzve. Fokusi i tij është vënë direkt mbi fuqinë që kanë mendimet e një personi, kur ai person i caktuar fundoset përbrenda errësirës së trurit të vetë.
Duhet cekur se tre aktorët kryesorë që luajnë në film kishin kaluar gjashtë muaj duke mësuar gjuhën shqipe të shenjave në Shoqatën Kombëtare Shqiptare të të Shurdhërve (ANAD), dhe kjo është dëshmi për dashurinë e madhe të realizimit të një filmi që veçse ka dëshmuar për potencialin e lartë që posedon.
Kjo dramë ekzistenciale që prek thellësisht në shpirt cilindo, ka përcjellë emocione të fuqishme përmes lojës së syve, gjuhës së trupit e gjuhës së shenjave, si dhe me vetëm pak tekst. Interpretimet nga dy aktorët portugezë kanë qenë diçka marramendëse, në esencën më të bukur të fjalës. Ndërlidhja e tyre në lojën e performancave ka shpalosur një kimi organike që është për t’u marrë lakmi. Stili që ka regjisori Koçi nuk është aspak sentimental, por zhdërvjellët nëpërmjet një ritmi të qetë e të heshtur që përkon përgjatë gjithë filmit.
Rolet dytësore, po ashtu janë njëlloj të çuditshëm në karakter. Përgjithësisht, janë njerëz të mirë, që ndihmojnë njerëzit përreth. Portretizohen në mënyrë brilante, të zgjuar, duke kundërshtuar çdo padrejtësi të mundshme. Jeta e tyre është e zakonshme.
Por, atë se çfarë e bën filmin të ketë një qartësi artistike të pastër si loti, është humori i thukur, përjetimi i pengesave esenciale për jetesë, ngjashmëria fizike e binjakëve, marrëdhënia intime e botës emocionale së binjakëve, dashuria pa kushte e binjakëve si dhe vizualja e skenës finale, plot shpresë tragjike.
Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet në publik ato që zhurmuan sallën në Kino Armatë. Paraprakisht, në skenë për një fjali rasti doli ekipi i filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”.
Regjisori Gentian Koçi është shprehur i lumtur për premierën po e dha mbrëmë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’.
“Jam shumë i gëzuar që jam këtu dhe në fakt e kam pritur këtë premierë prej kohësh. Unë po kthehem në PriFilmFest pas njëmbëdhjetë vitesh, andaj jam shumë kurioz të di mendimet e juaja. Faleminderit që keni ardhur sepse filmi është shumë special për mua. Është bërë me shumë dashuri, shumë sakrificë. I bërë bukur, më duket. Kam një kastë fantastike, andaj shpresoj të ju pëlqej.”
Ndërsa, aktorja shqiptare që debutoi në këtë film, Drita Kabashi ka thënë se premiera e filmit në PriFest, është një moment i shenjtë për të.
“Dua që vetëm të ju falënderoj të gjithëve dhe shpresoj që filmi të ju pëlqej. Ky është një moment shumë i shenjtë për mua që po e ndaj me komunitetin tim.”
Kujtojmë se “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” pati premierën botërore në konkurrencën kryesore në Festivalin e Filmit Tallinn Black Nights (PÖFF), premierën nordike në Festivalin e Filmit Göteborg, premierën gjermane në CineVision Competition në 40th Filmfest München, premierën greke në Festivalin e 64-të të Filmit të Selanikut.
Filmi fitoi çmime për regjinë më të mirë në edicionin e 41-të të Filmit në Bergamo, “Dielli i Artë” për filmin më të mirë dhe çmimin e kritikëve në Programin SEE në Festivalin e Filmit ‘CineDays’.
“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është aplikimi zyrtar i Shqipërisë për Akademinë Çmimet – Oscars 2023.
Filmi është prodhuar nga “Artalb Film Productions” (Shqipëri), në bashkëprodhim me “Maria & Mayer” (Portugali), “Graal Films” (Greqi) dhe “Added Value Films” (Kosovë). / KultPlus.com