30 Dhjetor, 2020 - 1:40 pm
Viti që po lëmë pas mori disa nga figurat më të shquara të artit shqiptarë. KultPlus do t’i kujtojë sot përmes veprës që lanë pas.
Në mëngjesin e 25 marsit të këtij viti, në moshën 85 vjeçare ndërroi jetë aktorja shumë e dashur për publikun Leze Qena.
Sot, KultPlus ju sjell disa fotografi të Lezes e cila vazhdon të mbetet ndër gratë që skenës së teatrit e filmit shqiptar i falën një jetë.
Leze Qena gjithmonë do të mbahet mend për artin e saj të pavdekshëm, për nurin e buzëqeshjen e saj të këndshme.
Në këto fotografi, të cilat Lezja kohë më parë i ka ndarë KultPlus, e shohim atë të shoqëruar nga aktorët tjerë në rolet e ndryshme. Njëjtë janë edhe fotot e Lezes në etapa të ndryshme të jetës.
Derisa i shohim e i shijojmë këto fotografi, kujtojmë se Lezja ka lindur në Prizren ndërsa më pas erdhi në Prishtinë ku u fut në jetën kulturore, me fokus sidomos teatrin.
Rolet e saj mes tjerash ishin te “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët”, “Shkolla e Fshatit”, “I ikuri”, “Familja Moderne” dhe projekte tjera. / KultPlus.com