28 Shkurt, 2018 - 11:01 am
Filmi i shkurtër “Një Muaj” me skenar dhe regji nga Zgjim Terziqi dhe producent Agon Syla do të jetë pjesë e festivalit kualifikues për Oscar në Korenë së Jugut, në edicionin e 35-të të Busan International Short Film Festival, si pjesë e Konkurrencës Ndërkombëtare, shkruan KultPlus.
“Një muaj” u përzgjodh për të qenë pjesë e 42 filmave përfundimtar të përzgjedhur në mesin e 4.953 filmave.
BISFF është gjithashtu festivali i parë i filmit të shkurtër në Korenë e Jugut. Dhe këtë vit shënon edicionin e 35-të që do të mbahet nga 24 prill deri më 29 maj të vitit 2018.
“Një Muaj” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për Anën një 40 vjeçare e verbër, e pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmban përkujdesjen e saj secila me rend nga një muaj.
Në këtë film luajnë: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri Berisha, Lis Spahiu.
Filmi është prodhim i shtëpisë filmike ‘Broken Branch Production’, i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe me mbështetje nga Swiss Cooperation Office Kosova dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com