13 Shtator, 2017 - 1:35 pm
Filmi i metrazhit të gjatë ‘A Dream’, me regji të regjisorit slloven Bostjan Slatensek, do të shfaqet premierë në Festivalin e Filmit në Slloveni, shkruan KultPlus.
‘A dream’ me skenar të Bostjan Slatensek e Aude Le Pape, ka gjysmën e kastës së aktorëve shqiptarë, gjysmën e ekipës së realizimit të filmit shqiptarë, e çka është më kryesorja trajton një temë shqiptare, të pasluftës së fundit në Kosovë.
Duke e trajtuar një temë mjaft interesante ‘A Dream’ apo ‘Ëndërr’, sjellë në kastën e aktorëve Aude Le Pape (Shpresa), Aleksandar Rajaković (Mark), May-Linda Kosumovic (Hana), Alketa Sylaj (Besa), Luan Jaha (Thomas).
Filmi tregon dy rrëfime dashurie. Rrëfimin e Markos, një ish-reporter i luftës i cili lëviz nga Lubjanë në Prishtinë për të punuar për një organizatë ndërkombëtare. Një mbrëmje në një bar, ai takon tre vajza: Shpresën, Besën dhe Hanën. Marko joshet nga Shpresa dhe gjithçka nis aty. Ndërkaq Hana dhe Besa kanë një marrëdhënie. Të dyja vajzat nuk kanë miratimin për këtë lidhje për arsye krejtësisht të ndryshme: Hana ka frikë nga përgjigjja e publikut, duke ditur se në shoqërinë patriarkale kosovare, një marrëdhënie mes dy vajzave është e pamundur.
Drejtor i Fotografisë në këtë film është Ibër Deari, muzika është bërë nga Vojko Sfiligoj dhe Bujar Berisha, kostumografia nga Leonora Mehmeti e producent Uroš Goričan. Kjo histori kosovare që jo rrallë herë e kemi dëgjuar do të shfaqet premierë të premten mbrëma në Festivalin e Filmit në Slloveni, i cili ka nis më 12 dhe zgjatë deri më 16 shtator. Filmi 112 minutësh do të tregoj këto dy rrëfime më 15 shtator me fillim nga ora 18:45. Ky është filmi i dytë i regjisorit, skenaristit e gazetarit Bostjan Slatensek./ KultPlus.com