11 Gusht, 2018 - 12:19 pm
Alberina Haxhijaj- Prizren
Në kuadër të DokuFest-it është shfaqur dokumentari “Nuk është prona juaj” nga Amanda Fisher, shkruan KultPlus.
Dokumentari “Nuk është prona juaj” paraqet rrëfimet e të mbijetuarve nga komunitetet e ndryshme të Kosovës dhe diskuton mbi zinxhirin që lidhë dhunën në familje me të drejtën e gruas për pronë.
Në dokumentar paraqiten disa histori të grave të cilat kanë përjetuar dhunë në familje duke treguar se dhuna në familje nuk ka të bëjë aspak me atë se sa e shkolluar është një grua apo pozitën që ajo ka në shoqëri. Përkundrazi ky dokumentar vë në pah se çdo grua mund të jetë viktimë e dhunës në familje prandaj duhet që ligji të jetë ai i cili i mbron ato.
Përmes intervistave në dokumentar vihen në pah edhe traditat zakonore dhe fetare të cilat lidhen me statusin e gruas në shoqëri duke u fokusuar edhe në të drejtën e grave në prona. Dokumentari paraqet edhe mangësitë që ekzistojnë në disa ligje si dhe atë që shoqëria e Kosovës dhe institucionet duhet të bëjnë që të ndihmojnë në këtë drejtim.
Me të përfunduar dokumentari i cili zgjati rreth një orë, fjalën e mori regjisorja Fisher e cila falënderoi të gjithë që u bën pjesë e dokumentarit të saj e veçanërisht gratë të cilat i ndanë më të historitë e tyre.
“Faleminderit të gjithëve të cilët kanë kontribuar në këtë film dhe veçanërisht grave pasi që duhet shumë fuqi për të ndarë ndjenjat e tyre, ato për mua janë heroinat e vërteta”, tregon Fisher.
Regjisorja tregoi se që në fillim kanë dashur qe të bëjnë diçka të veçantë dhe të shkojnë më thellë, jo vetëm të tregohet për dhunën në familje por gjithashtu edhe për të drejtën në pronë e cila pothuajse nuk ekziston fare. Ajo po ashtu theksoi se e mira e këtij dokumentari është se në të janë përfshirë gra të të gjitha moshave, klasave, shkallëve të edukimit.
E pranishme ishte edhe Luljeta Aliu, e cila ka përjetuar dhunë në familje. Ajo është themeluese e Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi INJECT. Me të pranishmit përmes dokumentarit ajo tregoi historinë e saj dhe iniciativën të cilën e mori për të ndryshuar Ligjin për Familjen, gjegjësisht saktësimin e dispozitave ligjore në lidhje me ndarjen e pasurisë së përbashkët bashkëshortore.
Po ashtu ajo theksoi se ajo që hasin më së shumti gratë të cilat përballen me dhunë në familje apo mohim të së drejtës në familje është diskriminim institucional.
Në anën tjetër i pranishëm ishte edhe Zëvendësministri i Drejtësisë – Naim Qelaja, i cili po ashtu është edhe Koordinatori Nacional Kundër Dhunës në Familje.
Ky dokumentar synon që të përdoret edhe nëpër masterklasa, punëtori apo ligjërata të ndryshme të cilat në fokus kanë luftimin e dhunës në familje dhe diskutimin për të drejtat që kanë gratë në prona. / KultPlus.com