Nurkollari: Mungesa e atmosferës së veçantë që krijohej nga “DokuFest”, ka ndikuar negativisht tek qytetarët dhe bizneset e Prizrenit

18 Gusht, 2020 - 1:24 pm

Suada Qorraj

Festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” shënoi hapjen e edicionit të tij të 19-të me 7 gusht, por këtë herë me një transformim të imponuar. Për herë të parë në historinë e tij “DokuFest” u bart në sferën digjitale, si shkak i pandemisë COVID-19. “DokuFest” këtë vit solli magjinë u rrugëve të Prizrenit, brenda shtëpive të secilit prej nesh, shkruan KultPlus.

Ndonëse stafi ishte përgatitur për një edicion hibrid, ku një pjesë e filmave do të shfaqeshin online, kurse pjesa tjetër në kinema, një gjë e tillë nuk arriti të realizohet sepse në vend u krijuan rrethana të reja e një shpërthim edhe më i madh i pandemisë.

Hapja e këtij festivali u bë në Prizren, pa praninë e publikut, në kinematë ku karriget kishin mbetur të zbrazura, në vend të gjallërisë së publikut heshtja mbizotëronte në qytetin e bukur të Prizrenit.

Festivali i këtij viti që nga nata e parë ishte i mbushur me programe të filmit, panele, masterklasa, punëtori bashkëpunuese si dhe performanca muzikore online. Në tetë seksionet garuese të këtij edicioni garonin 90 filma nga 51 vende të botës. Madje në mesin e tyre ishin tetë filma që bënin pjesë në programin e ri garues, TRUTH, program ky që ju dha hapësirë dokumentarëve dhe gazetarisë hulumtuese.

Për të mos i munguar publikut as këtë vit, “DokuFest” ka bashkëpunuar me Festivalin Scope dhe Shift72 në mënyrë që të garantojnë përvojën më të mirë të transmetimit online. 

Më qëllim që të përshkruajnë transmisionin që përjetuam si shoqëri edhe tema e këtij viti erdhi ndryshe prej herëve tjera. Nëpërmjet “Transmision”, organizatorët i sollën publikut një eksperiencë që në atë kohë ishte eksperimentale, një transformim digjital të kinemave.

Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari në një intervistë për KultPlus ka rrëfyer përvojën e tyre me edicionin e sivjetmë të këtij festivali. Sipas tij “DokuFesti” i këtij viti ka shënuar çudinë, risinë por edhe ka qenë i mbushur me përplot sfida.

“Duke qenë se kjo ishte hera e parë e realizimit të komplet festivalit në formën online, përvoja ishte sa e çuditshme aq interesante dhe plotësisht risi për të gjithë neve që ishim të involvuar. Nevoja për të mësuar dhe implementuar gjërat të cilat nuk i kemi bërë asnjëherë ishte ndër përvojat më sfiduese por edhe më plotësuese”, ka thënë ai.

Nurkollari ka theksuar se njëra nga vështirësitë kryesore për këtë edicion ka qenë mungesa e IP adresave të Kosovës, gjë që edhe pamundësonte vendosjen e vendit në hartën e shteteve në Internet. Koha e shkurtër që kishin në dispozicion për realizimin e kësaj ka sjell mjaft vështirësi.

“Ndër vështirësitë kryesore më duhet të ceki njërën sidomos, e ajo ishte mungesa e IP adresave të Kosovës, që në praktikë e pamundëson vendosjen e Kosovës në hartën e shteteve në Internet. Në sferën virtuale shtetet identifikohen me IP adresa dhe për këtë shkak dhe për të mundësuar që filmat nga portali online i DokuFest-it të mund të shihen kudo në Kosovë na është dashur të negociojmë me autorët dhe bartësit e drejtave të filmave që, përveç Kosovës, filmat të jenë të qasshëm edhe nga Shqipëria dhe një pjesë e Ballkanit Perëndimor. Natyrisht edhe koha e shkurtër për të siguruar që çdo gjë të funksionoj në portal ishte ndër sfidat kryesore, por jo domosdoshmërisht vështirësi”, ka deklaruar ai.

Tutje Nurkollari nuk ka lënë pa përmendur edhe mungesën që i është shkaktuar qytetit të Prizrenit, sipas tij atmosfera e veçantë që krijohej nga “DokuFest”, ka ndikuar negativisht tek qytetarët dhe bizneset.

“DokuFest-i është i njohur me atmosferën e veçantë, me numrin e madh të publikut, me aktivitete dhe takime të shumta, si në kinematë ashtu edhe në ngjarjet tjera dhe natyrisht shumë nga këto na kanë munguar. Atmosfera festive iu ka munguar edhe qytetarëve gjithashtu, ndërsa bizneseve të ndryshme në Prizren mungesa e numrit të madh të vizitoreve ju ka ndikuar mjaft negativisht”, ka thënë Nurkollari.

Ai ka shtuar se komentet e deritanishme që kanë marrë nga pjesëmarrësit kanë qenë pozitive, ndonëse është e vështirë që të mbledhësh mendime nga pjesëmarrësit në formën virtuale. Por, ai shpreson që viti i ardhshëm t’i gjejë së bashku qytetin e Prizrenit dhe “DokuFestin”, në mënyrë që të ftojnë edhe pjesëmarrësit e këtij viti dhe të kompensojnë atë se çka shënoj mungesë në edicionin e 19-të.

Për përvojën në pjesëmarrjen online të këtij festivali KultPlus që nga ditët e para të “DokuFestit” ka realizuar intervista me regjisor të ndryshëm, të cilët janë shprehur të entuziazmuar për faktin se edicioni i sivjetmë do të jetë i qasshëm për një numër më të madh të njerëzve, e kësisoj do të sjellë edhe më shumë shikueshmëri të filmave, por sipas tyre ky edicion nuk do të sjellë përjetimet e njëjta që mund të kesh në kinema.

Regjisorja e filmit “As if Biting Iron”, Stephanie Rizaj ka thënë se filmi i saj është krijuar për t’u parë në ekran të dyfishtë, me një projektor të madh, pasi që zërimi luan një rol të rëndësishëm. Por sipas saj versioni online do t’i siguroj filmit një audiencë më të madhe.

“Të shikuarit e filmit në një kinema fizike do të kishte një ndikim ndryshe te shikuesi, por edhe versioni online besoj se do t’i siguroj filmit një audiencë më të madhe”, është shprehur regjisorja për KultPlus.

Ndërkaq regjisori Dhimitër Ismjali, ka theksuar se është inkurajuese kur merr pjesë në festivale që kanë reputacion për drejtësi dhe paanësi. Madje për të “Dokufest-i” ka një vend të veçantë sepse ka një mënyrë unike të realizimit. Sipas tij puna që kanë bërë organizatorët përgjatë këtyre 19 viteve dëshmon forcën kulturore të këtij festivali.

“Për mua “Dokufest” ka një vend special sepse është unik në organizim dhe larmin e projekteve, sikurse dhe për faktin që kur ja kanë nis kësaj rruge, janë hasur pak a shumë me të njëjtat probleme dhe vështirësi që jam hasur edhe unë apo shumë kineastë të tjerë, pra me vështirësi financiare, me cinizmin e të tjerëve apo duke pasur edhe dilemë për sukses. Por, fakti që mbas 19 vitesh festivali nga një dhomë e vogël është bërë një forcë e madhe dhe e rëndësishme kulturore për rajonin, dëshmon në punën kolosale dhe besimin e organizatorëve në projektin e tyre”, ka pohuar Ismailaj.

Ndarja e çmimeve të Dokufestit u bë natën e 15 Gushtit, ku dhe juria e Ballkanit ishte shprehur e lumtur me pjesëmarrjen që kishte pasur në këtë edicion.

Edicioni i sivjetëm i “DokuFestit” do të vazhdoj deri më 25 gusht ku publiku do të ketë mundësinë t’i shikoj filmat në platformën online, si dhe të marr pjesë në diskutimet që organizohen në kuadër të programit për këtë vit. / KultPlus.com

Të ngjajshme