4 Nëntor, 2019 - 10:30 pm
Filmi “Nusja edhe shtetrrethimi”, 41 vjet pas premierës shqiptare u shfaq në Austri. Filmi prodhim i vitit 1978 shënoi premierën e tij ndërkombëtare në “Viennale”, që është një nga ngjarjet më të rëndësishme evropiane.
Nëpërmjet këtij filmi me skenar të Helena Kadaresë dhe regji të Kristaq Mitros e Ibrahim Muçajt, promovohet një pjesë e thesarit të kinematografisë shqiptare. Filmi u përzgjodh në “Viennale” për të qenë pjesë e programit të filmave europianë, që trajtojnë Luftën e Dytë Botërore. Me muzikë nga Kujtim Laro, në role janë Rajmonda Bulku, Llazi Serbo, Thimi Filipi, Sotiraq Bratko, Kastriot Çaushi, Gjergj Lala, Marta Burda, për të vijuar dhe me aktoret Behije Çela, Pavlina Mani, Zyliha Miloti, Vitore Nino, etj. Regjisori Kristaq Mitro shprehet se dekada më parë “Nusja dhe shtetrrethimi” i shpëtoi censurës.
U shfaq premierë, por më pas u hesht për këtë film prodhim në Kinostudio më 1978. Regjisori Mitro tregon se pas 41 vitesh, ky film bëhet pjesë e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kinemasë. ““Viennale” bëhet me rastin e 75- vjetorit të Luftës së Dytë Botërore dhe ata kanë marrë ndër filmat më të mirë, ku dhe “Nusja dhe shtetrrethimi” u përzgjodh krahas tyre. Filmi, që u prodhua në 1978 i shpëtoi censurës dhe u shfaq, por u hesht për të. Kanë qenë shumë personalitete të kohës si Pirro Mani dhe të tjerë, apo dhe të huaj që e kanë parë filmin dhe kanë thënë, që ky është film ndryshe nga ata, që ju keni bërë në Shqipëri”, pohon regjisori Mitro.
Me aktivitetin në kinematografinë shqiptare, regjisori Kristaq Mitro është i vlerësuar për kontributin e tij me filmin. Për filmin “Nusja dhe shtetrrethimi”, ai shprehet se përcillet një aspekt i luftës. “Në “Viennale” një film nga Shqipëria, që tregon një luftë partizane. Ky film përcjell luftën në Shqipëri në një aspekt të saj. “Nusja dhe shtetrrethimi” shfaqet bashkë me filmin “Kozara”, që është një nga më të mëdhenjtë, që ka bërë Europa për Luftën e Dytë Botërore, dhe ata në “Viennale” e kanë zgjedhur njësoj siç kanë zgjedhur filmin tim.
Është vlerë kjo jo vetëm për mua, por dhe për kinemanë shqiptare”, thotë regjisori Kristaq Mitro. Sipas tij, edhe nga kritika në Vjenë “Nusja dhe shtetrrethimi” është cilësuar si një film befasues. “Kritika në Vjenë për filmin ka shkruar se është një film befasues i kinemasë Europiane”, tregon më tej regjisori Mitro.
“Viennale” në Austri
Prodhim i vitit 1978 në Kinostudio, filmi tregon për Shpresën, që shkon në një shtëpi bashkëpunëtorësh të fashizmit për të shitur qëndisma dhe kryen një atentat të rëndësishëm. Pas kësaj i duhet të dalë në ilegalitet e veshur si nuse. Për këtë ajo ndihmohet nga shokët me të cilët ka bashkëpunuar për atentatin. Kështu Shpresa shpëton nga shtetrrethim. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit më herët njoftoi për bashkëpunimin me “Viennale” dhe “Austrian Film Museum” në retrospektivën Pan-European O PARTIGIANO. Fotoja nga shesh xhirimi i filmit u përzgjodh nga “Viennale” për të ilustruar retrospektivën O PARTIGIANO, që mbahet në Vjenë nga data 25 tetor deri në 4 dhjetor 2019.
Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit shprehet se “Nusja dhe shtetrrethimi” jep shpresë për promovimin e thesareve të kinemasë shqiptare. “Funksioni i një arkivi është studimi dhe sjellja në vëmendje e trashëgimisë filmike. Puna dhe suksesi i AQSHF me “Nusja dhe shtetrrethimi” na jep shpresë për promovimin e të tjerave thesare të kinematografisë shqiptare. 41 vjet më vonë filmi shfaqet në një nga ngjarjet kryesore Evropiane!”, pohon AQSHF. “Nusja dhe shtetrrethimi” do të rishfaqet në Vjenë edhe më datë 30 nëntor./atsh/ KultPlus.com