‘Okarina’, filmi me regji të Alban Zogjanit që theu tabutë ‘morale’ të shoqërisë

12 Shtator, 2024 - 9:52 pm

Vjollca Duraku
Ejona Veselaj

Ekrani gjigand i Kino Armatës në natën e dytë të Prishtina International Film Festival- PriFest para publikut solli premierën e  filmit “Okarina”, të regjisorit Alban Zogjani, me skenar të Albana Mujës.

“Okarina” paraqet një histori tipike të familjeve shqiptare të cilët ndër viteve, për arsye sociale dhe politike janë detyruar të emigrojnë në shtete të ndryshme të botës, për të cilat në rast të refuzimit të leje qëndrimit në ato vende, martesa e burrave me gra të nacionaliteteve të tjera ka qenë zgjidhja e vetme dhe e domosdoshme për të siguruar stabilitetin dhe standardin e familjes së tyre të vërtetë.

Një histori e tillë u trajtua në disa dimensione me filmin “Okarina”, ku protagonistë ishin kryefamiljarët Shaqa (Jehon Gorani) dhe Selvia (Shëngyl Ismajli), të cilët në kohën e luftës kishin emigruar në Londër, të Mbretërisë së Bashkuar. Në mesin e peripecive për të ndërtuar një jetë të dinjitetshme dhe integrimit të kësaj familjeje, me theks të veçantë dy vajzave Sarandës (Rina Krasniqit) dhe Vjosës(Flaka Latfit) në këtë metropol botëror, një dokument i dërguar nga administrata shtetërore britanike për t’u kthyer në vendlindjen e tyre e ndryshoi komplet rrjedhën e tërë familjes.

“Martesa për letra” ishte opsioni i vetëm që fati e sillte në duart e tyre, përmes së cilit  Shaqa dhe Selvia do të mund të qëndronin në këtë shtet pranë vajzave të tyre.  Shaqa, si një burrë shqiptar me profesion zdrukthtar refuzon të “shkojë nuse”, kështu që kjo çështje në mënyrë të pavullnetshme pasohet në duart e Selvisë, e cila detyrohet të krijojë një kontratë martese me punëdhënësin e saj Giovanin (Kastriot Shehi). Mirëpo, për shkak të inspektimeve rigoroze të mbikëqyrësve shtetërorë, të cilët bënin kontrollime edhe në pikë të natës, për të vërtetuar nëse martesa e tyre ishte e vërtetë, Selvisë iu desh që për njëfarë kohe të shkojë të jetojë në shtëpinë e punëdhënësit të saj.


Për hir të së vërtetës, ashtu ishte. Selvija vazhdonte punën e saj të pastrimit në atë shtëpi si zakonisht, dhe flinte poshtë në kuzhinë. Mirëpo, dashamirësia, kujdesi dhe mirëkuptimi i treguar nga Giovani, krejt papritur e bën Selvinë të ndihej e vlerësuar, dhe një dashuri e vërtetë mes tyre  lind. Ky fakt, si një tërmet i fortë, shkund dhe shpërbën këtë  familje shqiptare, në themelet e së cilës gjendeshin pasojat e sistemit të çrregullt të jetesës të injektuar si rezultat i regjimeve të ndryshme, ku në pamundësi të shkollimit dhe arsimimit adekuat, si me thikë u ndahen detyrat e burrave dhe grave, njërit për siguruar mbijetesë dhe tjetrës për riprodhim dhe vazhdimësinë e llojit.

Në film, drama vazhdon edhe më tej kur njëra prej vajzave (Vjosa) kupton që ishte shtatëzënë me ish të dashurin e saj. Në mesin e shumë pikëpyetjeve për qëndrimin e prindërve të saj, të familjes së gjerë në Kosovë, për të ardhmen e saj dhe të bebushit që bartte, Vjosa vendos që të abortojë. Një moment sa shqetësues aq edhe reflektues në shtratin e spitalit ku ajo do të kryente abortin, ndaloi këtë proces bizar, që brenda pak minutash pritej të ndodhte.

“Okarina” përmes trajtimit të kësaj historie thyen tabu në disa kuptime mbi standardin e dashurisë dhe familjes në shoqërinë shqiptare. Me gjithë kundërshtimet e tij, Shaqa në fund i dorëzohet realitetit dhe lejon gruan e tij pas njëzet vitesh martesë të jetojë me burrin e saj të ri (pa ofendime apo kërcënime për vrasje) siç ndodh rëndom kur dikush tenton të prekë “megjën” (gruan). Për herë të parë “martesën për letra” po e bënte një grua, pasi martesa e burrave shqiptarë me gra të huaja ka qenë një fenomen i njohur. Po ashtu edhe lindja e njërës nga vajzat e qiftit, ka thyer tabu pasi nuk ka qenë normale për atë kohë që një vajzë të lindë dhe të mbajë fëmijën e ish-të dashurit të saj.

Fëmija vajzë pagëzohet me emrin e “Okarina” për shkak të lidhshmërisë së këtij instrumenti me punën e gjyshit si zdrukthtar, por edhe njëkohësisht si element dallues i etnisë shqiptare që në film ndërlidhet bukur edhe me këtë fenomen të shoqërisë shqiptare në ne vitet ’80-të, 90-të, e 2000. Fundi i filmit shpie te zgjidhjet e secilit karakter në të mirë të vetes së vet.

Krejt në fund të filmit, në një prononcim për media, regjisori Alban Zogjani ka thënë se filmi trajton temën e moralit të krijuar në një shoqëri dhe pasojat e zgjedhjeve jetësore.

““Okarina” vë në pah gjendjen emocionale të një familje, si pasojë e elementeve të tjera të cilat kanë rrjedhur ndër vite, me mënyrën se si janë rritur, si i kanë përballuar sfidat e ndryshme, ku sfidat e përgjithshme kanë prekur deri te morali. Këtu merren vendime të ndryshme nën idenë që po e shpëtojmë familjen, por realisht ne veprojmë në diçka të kundërt”, ka shpjeguar regjisori Zogjani.

Regjisori Zogjani po ashtuka thënë se ideja e tij ka qenë që përmes personazheve të Kosovës, gjuhës dhe ngjyrës së këtij filmi të shpërfaqet kjo temë e përgjithshme botërore.

“Qëllimi im kryesor ka qenë me dhënë rëndësinë e karakterit përmes mënyrës se si kam lëvizur në kamerë, përmes mënyrës se si kam interpretuar personazhin në mënyrën minimaliste, në manyrë që njerëzit të kenë një lidhje me personazhet. Pra, jam munduar t’i jap publikut qasje për të trajtuar diçka që mund t’i ndodh secilit person në mënyra të ndryshme, por përsëri e shpërfaqur brenda në familje. Pavarësisht nëse ngjarja zhvillohet jashtë shtëpisë, ai problem nuk mund të zgjidhet jashtë kornizës së shtëpisë”, ka thënë regjisori po ashtu.

Ndërsa skenaristja e filmit, Albana Muja, në koferencën për media ka treguar se si ka shkuar ecuria e punës deri te realizimi i produktit final.

“Ka raste kur një skenar mund ta shkruash për një kohë shumë të shkurtër dhe kur të merr kohë shumë gjatë, sidomos kur do të prekësh një temë sociale. Prandaj në këtë rast procesi i shkrimit ka zgjatur rreth dy vite. Fillimisht ka qenë dramë për teatër,  pastaj komedi e zezë. Pastaj te filmi kam dashur të paraqes një puro dramë. Tërë procesi ka zgjatur rreth dy vite, dhe jam shumë e lumtur për këtë bashkëpunim me Alban Zogjanin, i cili nuk e ka pasur aspak të lehtë realizimin e filmit. Është bërë një punë shumë e mirë pavarësisht mundësive të vogla financiare”, ka thënë skenaristja Muja.

Kurse, aktorja Shëngyl Ismajli në një prononcim për  KultPlus ka thënë së ndihet mirënjohëse për punën e realizuar me regjisorin dhe gjithë kastën e aktorëve.

“Kjo ka qenë hera e parë që kam punuar me Alban Zogjanin në film. Mund të them që ka qenë një eksperiencë që shpresoj që ka me u përsërit prapë. Albani është fantastik si regjisor, por pikë së pari edhe si njeri. Bashkëpunimi me aktorët si, Kastrioti, Jehoni, Flaka Rina e të tjerët ka qenë fantastik. Kemi pasur një kimi shumë të përbashkët që unë mendoj që ajo ka rezultuar në produktin final që ju sapo e patë.

Për aktoren Ismajli trajtimi i kësaj teme të dhimbshme i “martesës për letra”, një e vërtetë e shqitarëve të viteve 90-ta ka qenë temë bosht që ka ngërthyer atë si aktore në rolin e Selvijes.

“Në këtë rast ky film tregon që edhe gratë kenë ndjenja, që edhe gratë e dijnë se çka është e bukura, kur dikush sillet bukur, të sjellë lule, dhe jo gjithmonë jo ti je ajo që e përgatit kafen për burrin. Ky film tregon që ekziston edhe e kundërta. Sigurisht, Selvija përfundon me Giovanin jo për pasurinë e tij por për mirësjelljen dhe ngrohtësinë që e ofron”, ka pëfunduar Ismajli.

PriFest do të vazhdojë të mbahet deri më 15 shtator, në Kino Armata, në Prishtinë./ KultPlus.com

Të ngjajshme