31 Gusht, 2023 - 4:30 pm
Në hapjen e Festivalit të 80-të të Filmit në Venecia dje në mbrëmje morën pjesë më pak yje të kinematografisë, për shkak të grevës së Hollivudit.
Përveç anëtarëve të jurisë, ku përfshihen regjisori amerikan Damien Chazelle, regjisorja e Zelandës së Re, Jane Campion dhe regjisori irlandez, Martin McDonagh, në tapet shkelën kryesisht të famshëm dhe politikanë italianë.
Aktorja italiane, Caterina Murino, kryesuesja e festivalit, i mirëpriti të ftuarit në ceremoninë e hapjes.
“Një përshëndetje e ngrohtë dhe mbështetëse për ata që nuk janë këtu me ne, sepse janë të zënë duke mbrojtur vlerën intelektuale dhe ekonomike të punës së tyre”, tha Murino.
“Ata na kujtojnë se krijimi artistik është prerogativë e grave dhe burrave të pasionuar dhe të talentuar, dhe se puna jonë nuk mund t’i delegohet algoritmeve dhe inteligjencës artificiale”, theksoi ajo.
Më shumë se 11 000 skenaristë të bashkuar kanë qenë në grevë në SHBA, që nga fillimi i majit.
Dhjetëra mijëra anëtarë të sindikatës së aktorëve SAG-AFTRA kanë qenë gjithashtu në grevë që nga mesi i korrikut.
Të dy sindikatat po kërkojnë pagesa të përmirësuara dhe mbrojtje kundër përdorimit të inteligjencës artificiale.
Regjisorja italiane Liliana Cavani, 90 vjeçe, u nderua me çmimin “Luani i Artë”, të cilës iu dorëzua nga aktorja britanike Charlotte Rampling, që luajti rolin kryesor në filmin e Cavanit të vitit 1974 “The Night Porter”.
“Unë jam gruaja e parë që merr këtë çmim dhe mendoj se kjo nuk është e drejtë”, tha Cavani.
“Ka skenariste dhe regjisore që punojnë, të cilat ndoshta punojnë dhe në të njëjtin nivel me burrat. Besoj se festivali duhet ta marrë parasysh këtë dhe se gratë mund të bëjnë filma gjithashtu”, tha ajo.
Festivali u hap me filmin “Comandante” të regjisorit italian, Edoardo De Angelis.
Ai tregon historinë e një komandanti të nëndetëses në Luftën e Dytë Botërore, i cili merr një vendim të guximshëm për një udhëtim në Atlantik.
“Comandante” është një nga 23 filmat që konkurrojnë për çmimin kryesor të festivalit, “Luani i Artë”, i cili do të jepet më 9 shtator.
Në garë është i përfaqësuar edhe regjisori gjerman, Timm Kroeger.
Premiera e filmit të tij “Theory of Everything” do të shfaqet më 3 shtator. /atsh / KultPlus.com