18 Qershor, 2019 - 5:26 pm
Komunistët e Rusisë, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste, deklaruan se kanë kërkuar nga rregullatori i transmetimit rus Roskomnadzora që ta bllokojë qasjen në miniserinë e “neveritshme” të HBO-së, “Chernobyl”.
Partia, e cila nuk duhet të ngatërrohet me partinë më të madhe dhe më të fuqishme komuniste të Federatës Ruse, ka kërcënuar me padi për shpifje kundër skenaristit, regjisorit dhe producentit të serisë, duke pretenduar se programi “e ka shndërruar tragjedinë në një objekt të manipulimit ideologjik” dhe se e “demonizon regjimin dhe popullin sovjetik”.
Anëtari i asaj partie Sergei Malinkoviç, i cili qëndron prapa këtyre deklaratave, megjithatë e pranoi se seria për pjesën më të madhe e ka shfaqur kronologjinë e ngjarjeve dhe momenteve kyçe të asaj katastrofe bërthamore, shkruan KOHA Ditore.
Mediat ruse kërkuan komente nga Roskomnadzor për këtë, megjithatë, ata pohojnë se tek ata nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare nga Komunistët e Rusisë, por me siguri se do ta shqyrtojnë kërkesën nëse paraqitet dhe do të përgjigjen ndaj saj në përputhje me ligjin.
Seria “Chernobyl”, e cila i sjell ngjarjet për shpërthimin e reaktorit bërthamor në vitin 1986, është bërë papritmas fenomen global. Në të gjithë botën, ajo e ka mahnitur publikun, madje edhe në Rusi. Por, rusët planifikojnë ta bëjnë filmin e tyre për ta treguar “rrjedhën e vërtetë të këtyre ngjarjeve”.