12 Maj, 2018 - 9:33 am
Edhe këtë vit do të mbahet ‘Mirëdita Dobar Dan’, festivali që prezanton kulturën e Kosovës në Beograd.
Një festival tanimë tradicional, ‘Mirëdita Dobar Dan’ ka vite që prezanton artistët më të mirë nga Kosova për disa ditë të mbushura kulturë në Beogradin e Serbisë.
Këtë vit, siç raporton N1 në Serbi, SRS – Partia Radikale Serbe, po planifikon ta ndalojë mbajtjen e këtij festivali, nga 30 maji deri me 2 qershor.
“Partia Radikale Serbe është si një zëdhënëse që shpërndanë lajme dhe kësisoj edhe është zëri i shumicës” thotë Bojana Pavlovic, gazetare e KRIK.
Vitin e kaluar festivalin provuan ta ndalonin militantët e organizatës Zavetnici, pasi u lajmërua se në festival do të fliste edhe Atifete Jahjaga.
Ende nuk është bërë i ditur për këtë vit programi i festivalit i cili gjithmonë ka një karizëm dhe një paraqitje dinjitoze në Beograd, gjithmonë me qëllimin më të vogël për provokim politik.
Për mundësinë që Partia Radikale e Serbisë të kërcënojë festivalin, ka reaguar Nisma për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Organizata ka thënë se pret nga Policia të ndërhyjë aty ku ka nevojë dhe se ‘Mirëdita Dobar Dan’ është festival kulturor që asnjëherë nuk përçon mesazhe kërcënuese apo politike në mes të dy vendeve.
KultPlus edhe këtë vit do të jetë pjesë e këtij festivali dhe do t`iu sjellë më të rejat nga Beogradi dhe zhvillimet atje gjatë ditëve kur mbahet festivali. / KultPlus.com