28 Mars, 2025 - 5:57 pm
Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se pas sukseseve të shumta me filmin “Zgjoi” që ka fituar tri çmimet kryesore në Festivalin e Filmit Sundance dhe ishte pjesë e listës së ngushtë për nominim për Çmimet Oscar, Blerta Basholli fillon rrugëtimin me filmin e saj të dytë të gjatë, “DUA”.
“Me kënaqësi të madhe ju njoftojmë se filmi artistik i metrazhit të gjatë “DUA” me skenar dhe regji nga Blerta Basholli tashmë veçse ka filluar të shënojë sukseset e para, të cilat do të ndihmojnë jashtëzakonisht në realizimin e këtij filmi!”, thuhet në njoftim.
Tutje, nga Qendra Kinematografike janë shprehur se janë krenarë që Qendra Kinematografike e Kosovës ka përkrahur këtë projekt, duke vazhduar mbështetjen e saj për rrëfime që sjellin zërin e kinemasë sonë në skenën ndërkombëtare.
“DUA” gjithashtu ka siguruar mbështetje nga disa prej institucioneve më prestigjioze filmike:
* Bashkëprodhim nga ARTE France Cinéma
* Bashkëprodhim me CNC – Cinéma du Monde
* Mbështetje nga RTS – Radio Télévision Suisse
* Mbështetje nga Cineforum – Fondation Romande pour le Cinéma (Zvicër)
“Filmi është një dramë “coming of age” e vendosur në Kosovën e viteve 1990, e frymëzuar nga përvojat personale të regjisores. Përmes historisë së një adoleshenteje introverte, “DUA” trajton kërkimin për identitet në një periudhë të ndërlikuar politike, ku popullsia kosovare përballej me shtypjen nga regjimi serb dhe shkollimi zhvillohej në mënyrë të fshehtë”, thuhet në njoftim.
Producent i filmit është Valon Bajgora (Ikonë Studio, Kosovë), ndërsa bashkëproducentë janë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin (Alva Film, Zvicër) dhe Amaury Ovise (Kazak Productions, Francë)./KultPlus.com